Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kato Ahaia në Greqi. Një shtetas shqiptar 43 vjeç është plagosur jashtë banesës së tij pas të shtënave që kanë ardhur nga një makine.
Ngjarja është shënuar rreth orës 23.30 të mbrëmjes, kur shqiptari është goditur 3 herë më armë zjarri nga brendësia e një automjeti ngjyrë e zezë, e cila është larguar me pas me shpejtësi. Njëri nga plumbat e ka kapur shqiptarin në bark duke e lënë të plagosur.
Ai është dërguar për ndihmën e parë në qendrën shëndetësore të Kato Ahaia dhe më pas në spitalin e Rios. Në vendngjarje policia sekuestroi dy gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm dhe një fishek të deformuar pistolete.
Është zbuluar identiteti i shqiptarit i cili i shpëtoi një atentati me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Kato Ahaia. Ai është Emil Backa, 43 vjeç nga Tirana, por banues në rrugën “Paleologu 8” në Ahaia. I plagosuri nga atentati ka precedentë penalë për çështje droge.
Ai rezulton i liruar nga burgu i Koridhalos në mars 2023 dhe ka dyshime se e vazhdon ende veprimtarinë e tij kriminale.
Sipas policisë, ai është goditur 3 herë me pistoletë nga një automjet tip “Citroen” me xhama të zinj por vetëm një plumb e ka kapur në trup. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Patras./abcnews.al