Atentate mafioze, zhdukje dhe trafik droge, ngjarjet kriminale që shënjuan vitin 2022

0
100

Viti që lamë pas është mbyllur me një sërë vrasjesh të bujshme, brenda dhe jashtë vendit. Persona të përfshirë në veprimtari kriminale, atentate mafioze, trafik droge dhe zhdukje enigmatike, kanë qenë ngjarjet që kanë karakterizuar vitin 2022. Newsbomb.al ju sjell disa prej tyre, që tronditën opinionin publik.

Tirana është përgjakur në ditët e para të janarit nga një ngjarje e rëndë, e cila i mori jetën Erion Çelës. Persona të armatosur hapën zjarr nga makina drejt lokalit, duke shënjestruar Blerim Çelën. Viktimë mbeti vëllai i tij, Erioni, u plagos daja Edmond Crroj, kamarieri Azbi Selimaj dhe Arben Dani.

Erion Çela, viktima e masakres se Don Boskos

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 janarit në një lokal dhe njihet si “Masakra e Don Boskos”. Ajo u zbardh vetëm në shtator 2022, pas 10 muajsh, kur u morën peng dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj. Ata rrëfyen se ishin kontraktuar për këtë vrasje por nuk e kryenin dot ndaj atë e mori përsipër Kevin Zeneli. Ky i fundit ishte porositur nga Kasandër Noga për të vrarë Geron Hasanbelliun, por ngatërroi objektiv duke vrarë një të pafajshëm, Erion Çelën.

Buja pas kësaj ngjarje të rëndë kriminale u zhvendos mijëra kilometra larg, në Ekuador. Shqiptari Ergys Dashi, një menaxher i lartë i trafikut të kokainës drejt Europës, u ekzekutua në veri të Guayaquil. Mbrëmjen e 22 janarit ai ishte duke darkuar bashkë me një person tjetër, i cili po ashtu ishte shqiptar.

Ergys Dashi, i vrare ne Ekuador

Më 13 shkurt, do të vritet në Shkodër Prek Tonaj, pas një atentati mafioz që do e kthente përsëri kryeqendrën e veriut në kryeqendër të atentateve dhe hakmarrjeve. Për tetë muaj në Shkodër, u kryen 6 vrasje dhe të gjitha atentate mafioze, disa prej tyre edhe të lidhura me njëra tjetrën.

Nazim Bandula, një emër i njohur për drejtësinë, qëllohet për vdekje më 12 prill në lagjen “Partizani”. Shkodra do të tronditej përsëri më 13 qershor, kur u ekzekutua babai i Indrit Bajrit, shtetasi Naim Bajri. Saga e këtyre vrasjeve do të vazhdonte gati dy javë më vonë, më 15 qershor, ku humbi jetën pas breshërisë së plumbave 76 vjeçari Lulash Qepuri.

Shkodra nuk po gjente qetësi dhe në ditët e fundit të gushtit, ju bë atentat të riut Alban Bruçi, i cili fatmirësisht arriti të shpëtonte. I dyshuar ishte Bajram Çekorja, babai i të cilit do të vritej pesë ditë pas atentatit ndaj Bruçit, më 2 shtator, në derën e shtëpisë.

Ismet Çekorja, i vrare ne Shkoder

Më 18 shtator, do të ndodhte vrasja e fundit në kryeqendrën e veriut. 19 vjeçari Erion Xhenje qëllohet për vdekje brenda një lokali në lagjen “Kiras”. Ekzekutimi i tij mendohet se kishte lidhje me dy ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër, atentatin e dështuar ndaj Bruçit dhe vrasjen e Ismet Çekorjes.

Shqipëria do të tronditej paraditen e 5 marsit, kur Fatmira Bami dhe vjehrra e saj Bukurie Bami do të gjendeshin të vdekura në shtëpi. Nuse e vjehrrë u goditën barbarisht me sende të forta derisa ndërruan jetë, pasi 36 vjeçari Ali Zili pretendonte se nuk i kishin shlyer borxhin e druve të zjarrit.

29 marsi do të shënonte finalizimin e një operacioni dhe kapjen e një personi të shumëkërkuar nga Policia e Shtetit. Nuredin Dumani, një ndër eksponentët më të kërkuar të krimit, do të binte vetë në dorën e uniformave blu pas vitesh operacione të dështuara. I nisur për atentat, ai ra pre e një sulmi me armë në Papër të Elbasanit dhe u arrestua i gjakosur në Fier.

Nuredin Dumani, momenti i arrestimit ne Fier

Gjendja e rënduar nga një plumb në shtyllën kurrizore bëri që Nuredin Dumani të kthehej në “pentito” dhe të zbulonte shokët. Ai rrëfeu në SPAK vrasjet më të bujshme ku kishte marrë pjesë, porositë, ngjarjet për të cilat ishte në dijeni, etj. Kjo bëri që Prokuroria Speciale të niste një operacion special të quajtur “Plumbi i artë”, ku u arrestuan 18 persona, ndërsa 14 të tjerë i shpëtuan prangave.

Dy javë pas arrestimit të Dumanit, kur dukej se bosët e krimit ishin zbuluar dhe ishin arratisur, një atentat mafioz ndodhi në Shijak ku viktimë mbeti Arben Mërkuri. I njohur dhe me nofkën “Maneci”, 48 vjeçari dyshohet se ishte i lidhur me grupe të fuqishme kriminale dhe kishte dijeni për shumë ngjarje të rënda që kishin ndodhur në vend.

Arben Merkuri, “Maneci”, vrare ne Shijak

Pesë ditë më vonë, më 23 maj, Tirana do të përgjaket nga një ngjarje e rëndë që këtë herë përfshiu vetë uniformat blu. Oficeri i Komisariatit nr.3, Çaush Saliasi do të vritej në ambientet e punës nga kolegu i tij Ludian Zaimi, pas debateve banale që kishin me njëri-tjetrin.

Aleksandër Sadikaj, pronar i një resorti hipizmi në jug të vendit dhe i skeduar nga Policia, do të hidhet në erë në një nga rrugët kryesore të Tiranë, mesditën e 11 qershorit. Ai ishte duke lëvizur nga Sauku në drejtim të Elbasanit, kur në vendin e njohur si rrethrrotullimi i TEG, makina e tij shpërtheu si pasojë e një sasie të madhe tritoli. I gjymtuar, ai u dërgua në spital por ndërroi jetë.

Aleksander Sadikaj, i vrare ne Tirane

Mbrëmja e 12 qershorit do të ishte kontakti i fundit i Martin Çeços me familjen e tij. 26 vjeçari doli nga shtëpia në mesnatë dhe nuk u kthye kurrë më i gjallë, derisa u gjet pas katër ditësh i mbytur në rezervuarin e fshatit. Policia zbuloi më vonë se ai ishte vrarë nga tre persona, sepse njëri prej tyre kishte pasur lidhje intime me të dashurën e Martin Çeços.

17 korrik 2022. Ervis Martinaj do të merrte një nga goditjet më të forta nga kundërshtarët e tij, pas vrasjeve të njëpasnjëshme të disa prej shokëve. Mbikalimi i superstradës së Milotit do të bllokohej nga persona të maskuar dhe trafiku u devijua, që mbi urë të mbetej vetëm Passati me të cilin udhëtonte Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Brilant Martinaj dhe Ervis Martinaj, i pari i vrare dhe i dyti i zhdukur

Ata u qëlluan me breshëri plumbash dhe gjetën vdekjen në vend, ndërsa makinës ju vu flaka e dy prej viktimave u shkrumbuan, kurse i treti vdiq në trotuar. Kjo ishte goditja më e rëndë për Ervis Martinaj, i cili kërkohej prej muajsh nga SPAK. Pesë ditë më vonë, një tjetër atentat mafioz organizohet në Milot dhe në derën e shtëpisë sulmohet blindi më të cilën lëvizte Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi.

I pari, i konsideruar si truri i financave të Ervis Martinaj, mbeti i plagosur rëndë, ndërsa shoku i tij që atë ditë ishte dhe në timon, i riu Klisman Preçi mbeti viktimë. Ngjarja ndodhi në hyrjen e pallatit dhe ky u konsiderua si një tjetër mesazh për Martinajn. Prej këtij momenti, biznesmeni i basteve nuk u pa më, derisa publiku mësoi se më 8 gusht ai ishte zhdukur pa gjurmë. Teoritë janë të shumta, se Ervis Martinaj është vrarë e zhdukur, apo se e ka inskenuar vetë të gjithën për t’i shpëtuar kundërshtarëve. Nga 8 gushti, familja nuk ka asnjë informacion për 40 vjeçarin.

Opinion publik do të tronditej mesditën e 2 gushtit, kur vogëlushja Jonada Avdia do të përplasej për vdekje nga një skaf në plazhin e Potamit, në Himarë. 7 vjeçarja kishte ardhur nga Anglia me familjen dhe po pushon në jug, kur një skaf i fuqishëm me dy motorë u afrua në breg dhe i copëtoi trupin. Mjeti lundrues drejtohej nga shefi i policisë Arjan Tase, i cili kishte thyer ligjin dhe ishte afruar në breg.

Jonada Avidia, 7 vjeçarja qe u vra ne Potam

Në ditët e fundit të verës, Lezha dhe Tirana do të tronditeshin nga dy krime të rënda në familje. Mbrëmjen e 29 gushtit, Pjerin Perjaku dhe djali i tij Gent Perjaku do të ekzekutoheshin me breshëri plumbash nga ish-dhëndri i tyre, Besnik Pjetri. Shkak, ishin bërë konfliktet e vazhdueshme për shkak të divorcit dhe takimi i fëmijëve.

Pa u bërë ende 24 orë nga ky krim në familje, opinioni publik do të tronditej nga një tjetër vrasje. Konfliktet e vazhdueshme me të vëllanë, bënë që mesditën e 30 gushtit Arsen Muskurti të merrte armën dhe të qëllonte për vdekje brenda biznesit të tyre, Dritan e Nora Muskurti, vëllanë dhe kunatën e tij. Ai u arrestua në shtëpinë e tij dhe nuk shfaqi pendesë për krimin.

FotoMontazh: Arsen Muskurti (autori) - Çifti i viktimave, Dritan dhe Nora Muskurti
FotoMontazh: Arsen Muskurti (autori) – Çifti i viktimave, Dritan dhe Nora Muskurti

Një muaj e gjysmë pas këtyre dy vrasjeve në familje, Klosi do të përgjakej nga një ngjarje që zanafillën e kishte të ngacmimet e fëmijëve në rrjetet sociale. Fiqiri Mjeshtri kishte shkuar të sqarohej në një lokal në qendër të qytetit me Liri Shirën dhe djalin e tij Kenadon, sepse ky i fundit i shantazhonte vajzën në Instagram. Në gjaknxehtësi e sipër, ai ka vrarë babë e bir e më pas dhe veten.

Krimi i radhës do të përfshinte dhe vetë Policinë e Shtetit. Gati dy vite pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv i Shqiponjave, një tjetër i ri do të gjente vdekjen në duart e policëve. Në orët e vona të 19 tetorit, patrulla e Komisariatit nr.3 konstatoi në rrugë Lear Kurtin. Ky i fundit, i trembur për shkak se ishte me precedent dhe ndalohej herë pas here, largohet me vrap.

Gjatë rrugës, 32 vjeçari dyshohet se gëlltiti disa doza me lëndë narkotike që kishte me vete dhe u kap pranë një marketi, gati pa ndjenja. Shokët e tij që ishin aty, njoftuan efektivët se Lear Kurti vuante nga “sëmundja e tokës”, mirëpo kjo nuk u mor parasysh. I riu u këput në Komisariat dhe ndërroi jetë, por vendi nuk dihet, rrugës për në spital apo në duart e mjekëve. Prokuroria po heton.

Lear Kurti, i riu qe vdiq ne duart e Policise

Gjatë këtij viti që lamë pas, Shqipëria është kthyer dhe në një qendër e operacioneve nga agjenci ligjzbatuese të vendeve partnere. Në koordinim me SPAK në Shqipëri, autoritetet evropiane nën drejtimin e Eurojust, kanë bastisur disa ambiente dhe kanë goditur veprimtarinë e mashtrimit përmes call centerave. Vetëm së fundmi, Spanja ka goditur një kompani që u ka vjedhur evropianëve më shumë se 2.4 miliardë euro.

Prokuroria Speciale goditi në ditët e fundit të nëntorit një grup që merrej me trafikimin e kokainës dhe kishte arritur të sillte 430 kg të bardhë të tretur në 24 ton pleh kimik. Grupi ishte mbajtur prej muajsh nën vëzhgim dhe kur trafikantët shkuan ta merrnin, bashkë me porositësin, SPAK ndërhyri dhe arrestoi 10 persona. Në pranga ra ish-kryekomunari i Frakullës, Viktor Çervanaku, dhe familjarë të tij.

FotoMontazh: Viktor Çervanaku – Ngarkesa ne oborrin e shtepise se tij

Në këto ditë të fundit të vitit, Tirana do të tronditej nga një atentat mafioz. Mbrëmjen e 16 dhjetorit, një person i maskuar dhe profesionist në qitje, qëlloi tetë herë për vdekje biznesmenin Edmond Papa. Ngjarja u konsiderua si larje hesapesh dhe u pasua dy ditë më vonë nga një atentat në zemër të Athinës. Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organaj u qëlluan për vdekje nga një person që u shkoi në tavolinën ku ata po pinin kafe. Atentati dyshohet se ka lidhje me vrasjen e Papës, gjithashtu i lidhur me trafikun e drogës.