Fax News zbardh dosjen e atentatit të dështuar në Elbasan. Arben Spahiu në momentin që blutë i kanë shkuar në banesa i ka kërkuar aty llogari se pse shkojnë në banesën e tij për makina që gjejnë rrugëve. Kjo fjali i ka shtuar dyshimin hetuesve se ai ka pas informacion për automjetin e gjetur disa metra larg pallatit ku ai banon.
Më tej në dosje thuhet se në telefonin e sekuestruar të Arsen Preçit, janë gjetur komunikime me një shtetas të identifikuar me inicialet A. K.
Në komunikimet me këtë shtetas, Preçi është interesuar për prezencën e automjetit tip BMW dhe i ka kërkuar atij që mos i japë policisë numrin e kontaktit.
Sipas dosjes komunikimet janë bërë më datë 18 shkurt, kur edhe policia u sinjalizua për prezencën e mjetit në zonën e ish konservimit. Gjithashtu në dosje thuhet se në celular i janë gjetur edhe dy fotografi të bëra më datë 17 shkurt, ku në pamje janë ambjenti i hyrjes së një pallati, që të krijon dyshimin se Arseni ka qenë duke vëzhguar lëvizjet e ndonjë personi.
Në dosjen që Fax News disponon thuhet se janë duke vijuar hetimet për rastin ku janë sekuestruar disa sende në cilësinë e provës materiale. Një ndër materialet e sekuestruara është një bisht cigareje, e cila është dërguar për ekspertizë. Për të gjetur gjurmë gishtërinjsh apo ADN për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje prokuroria ka dërguar në laborator për gjetje gjurmësh
“Nga tamponimi i bërë në pjesë të ndryshme brenda dhe jashtë automjetit janë marrë gjithsej 17 tamponë. Nga përpunimi me pluhur daktiloskopik në xhamin e pasqyrës së mbrojtëses së diellit në krahun e shoferit është zbuluar një gjurmë e etiketuar me germën “A” dhe mbrojtësja nga dielli është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për ekzaminime në kushte laboratorike”, thuhet në dosje
Gjithashtu referuar dosjes mësohet se edhe targat e mjetit tip BMË X6 janë të vjedhur. Mësohet se targa AA347BP të vendosura në automjetin luksoz, janë vjedhur më 15 shtator 2022, në Elbasan dhe i përkasin automjetit tip Opel Zarifa. Mjeti tip BMW është identifikuar nga policia rreth orës 21:15, por për shkak të errësirës kqyrja e tij nuk është bërë atë natë. Kqyrja ka nisur të nesërmen në orën 09:15, ku edhe u gjetën dhe armët dhe pasaporta greke në emër të Arben Spahiut, tashmë i arrestuar për akuzat e “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Dy të arrestuarve në cilësinë e provës materiale i’u sekuestruan sendet e mëposhtme:
- 1 (një) çantë krahaqafë, ngjyrë gri me rrip ngjyrë blu dhe të kuqe me mbishkrimin kryesor “Guçi”.
- 1 (një) palë dorashka ngjyrë gri me shkëlqim, plastike sintetike me ngjyrë të bardhë me mbishkrimin “KEDMAN”.
- 1 (një) kapele me ngjyrë të zezë me mbishkrimin “Jordan”.
- 1 (një) kuletë syzesh sintetike me zinxhir, ngjyrë gri me një palë syze brenda me xham të bardhë transparent.
- 1 (një) armë zjarri pistoletë e markës “Glock” me dorezë plastike ngjyrë të zezë e ato metalike ngjyrë të zezë, pa numër të dallueshëm, me mbishkrimet në trupin e saj “21 AUSTRIA 45 AUTO”, brenda dorezës së armës gjendet një krehër metalik me 12 (dymbëdhjetë) copë fishekë brenda saj, me markerimet në fundin e tyre “PPU 45 AUTO”.
- 1 (një) çelës automjetesh me emblemën (stemën) e markës BMË.
- 1 (një) pasaportë Greke me numër AE6643644 në emër të shtetasit Kostantinos Lolos.
- 1 (një) portofol sintetik me ngjyrë të zezë me mbishkrimin “Guçi”, ku brenda saj gjendet një leje drejtimi Greke në emër të shtetasit Kostantinos Lolos me numër 690009371 si dhe një sasi kartmonedhash euro të prerjeve 200 (dyqind) gjithsej 13 (trembëdhjetë) prerje, (dymijë e gjashtëqind euro) në dukje të rregullta.