Me arrestimin e Krymit, Nuredini e kuptoi që laku po ngushtohej. Ai u largua nga Elbasani, kaloi kufirin drejt Kosovës, ku fshihet dhe strehohet tek miqtë e “Alibejve”. Atje takohet me Arjan Spahiun.
“Vendosa me Arjan Spahinë, që të mos bëjmë atentate, mos bëjmë zhurmë shumë, që ta ndihmojmë Erjon Alibejn të dali nga burgu. Thashë OK në rregull. Bëj vetëm presione, që të vazhdojmë presionet, bëj shtëpinë e Talo Çelës, ta rrëzojmë shtëpinë e Talo Çelës”
Përmes Sky-it, Dumani urdhëroi Henrik Hoxhën të vendosë tritol te banesa dhe lokali i Talo Çelës. Shpërblimi: 20 mijë euro.
“Për këtë kam folur me Bes Xhixhën, për tritolin. I kërkova të më siguronte 5 kg tritol, ose dinamit, nuk e përcaktoj dot çfarë ka qenë. 5 kg. 2.5 me një vend edhe 2.5 me një vend tjetër për me lidhje. Edhe ja kërkova për me e bërë me lidhje që të ishte më e sigurt se me telekomandë.”
Vetëm gjysma e sasisë së eksplozivit shpërtheu…..Ata nuk arritën të shembin vilën. Pas arrestimit të “Krymit”, rivalët nuk po rrinin më duarkryq. 3 javë pas shpërthimit në banesën e Talo Çelës, ekzekutohet në Belgjikë Arjan Spahiu, njeriu kyç i grupit “Alibej”.
- “Kam pasur kontakt të vazhdueshëm me Arjan Spahinë, ishte koha kur flisnim edhe për transport kokaine, madje ka qenë një kohë që kishim çuar nga 100 kg kokainë, 200 kg, pra 200 ‘bukë’ i kishim çuar në Angli tek një lidhje që ishte e Arjan Spahisë, e realizuam daljen nga Evropa, e çuam në Angli mallin, por atje na humbi malli. Na ka humb pasi është vrarë Arjani.”
Dumani hetoi vetë për ekzekutimin e mikut të tij Spahiu. E kuptoi se ishte tradhti nga brenda. Nuhatja e tij, sërish nuk gaboi
- “Fati, thoshte jo s’kam lidhje jo s’kam gjë. Në atë kohë, fliste edhe vetë Erjoni se kishte siguruar telefonin. E i thamë po s’ke gjë ti Fat, shko te policia edhe jep detaje, çfarë ka ndodhur, te policia belge. Edhe Fati atë bëri, po nuk doli më nga policia. Doli që kishte lidhje me atentatin që i kishin bërë Arjan Spahisë. Ky Fati kishte pasur kontakt me vëllezërit Çopja, po në të njëjtën kohë ka qenë shok i ngushtë me Arjan Spahinë”.
Atentati i fundit dhe momenti që Dumani vendosi të fundosë bandave që u shërbeu…
Me Erjon Alibejin të mbyllur pas hekurave dhe krahun e tij të djathtë të ekzekutuar, Nuredin Dumani merr frenat e grupit.
Nga Kosova ai vijonte aktivitetin duke krijuar lidhje me emra të fuqishëm të botës së errët, përfshirë Suel Çelën…
Sipas Dumanit, ky i fundit i ka ofruar kundrejt shumës prej 200 mijë euro eliminimin e biznesmenit Lulzim Masha.
- “Pas njohjes, nuk e di sesa muaj a sesa javë, më tha mua ‘o vëlla do më bësh një nder’. Po i thash unë. ‘Dua me heq një në Tiranë tha, nuk e kam për vete e kam për një shokun tim, unë kam edhe njerëz vet tha, po dua të ma bësh ti, se ti e ke më kollaj’. Nuk u realizua ngjarja, nga 200 mijë vetëm 10 mijë euro janë marrë, s’janë kthyer. Ku ti ktheje, i kishte bërë Baftjari raki e kokainë…..”
Edhe pse dështoi, me Lulzim Mashën, komunikimi Dumani-Çela u intensifikua. Sipas Dumanit, ai mori një tjetër porosi të eliminonte Elton Kilën…
- “Për këtë më tha mua, më thuaj sa të duash.. OK i thashë unë, në rregull. I thashë Henrik Hoxhës. Ore i thash unë, kështu – kështu, do vrasim një person atje, e quajnë Ot Kila. Do angazhohesh ti për ta eliminuar këtë. Po më tha ky, faleminderit kusho, se jemi copë -copë, siç e kishte zakon ky….”
Në të njëjtën kohë kur Nuredin Dumani mori porosinë nga Suel Çela për eliminimin e Ot Kilës, policia i ra në gjurmë në Kosovë. Por, ai ia doli t’u ikte përpara se të mbyllej rrethi.
- “Në atë kohë unë isha në Kosovë. Edhe më bëri blic policia atje, erdhën më rrethuan për të më arrestuar. Po më vinte Tonin Voci, me këto të Shqipërisë, se ashtu ishte marrëveshja për këtë punë. Ne e morëm vesh që në drekë që do rrethohesh pallati. Përpara se të zbrisja poshtë, i shkruajta një të njohuri aty, i thashë hajde më merr pak. Kam hipur në makinë, edhe ikim, aty e kuptuan që jam unë. Se ika me shpejt, na gjurmuan mbrapa ata, ikëm deri në Gjilan, shkova te Shaban Zeqiri. Zbrita nja 3-4 shtëpia më para, edhe zbrita, i thash atij vazhdo rrugën ti. Edhe i ndalon policia ato, po unë nuk isha në makinë.”
Pasi i shpëtoi policisë, Dumani u fsheh në Kukës e ndërsa Henrik Hoxha, vijonte të gjurmonte Ot Kilën.
- “Më kapi sedra mua, se më vinte në sedër edhe Sueli, thashë unë do shkoj vet do ta vras. I thash hajde më merr pak se do vij vetë poshtë. Isha në Kukës unë, isha te shtëpia e Bujar Gremizit. Më ka shoqëruar Bujar Gremizi mua, deri në mëngjes, deri në Rrëshen, janë nja dy karburante aty, nuk e di si e kanë emrin ato karburantet, poshtë urës, po priste Henriku”
Nga aty Dumani nisi rrugën për të vrarë. Por, prej orësh, objektivi nuk u pa askund. Në kthesën e Papërit, gjuetari u kthye në prenë që po pritej prej kohësh.
- “Ishte lojë e Suel Çelës. Suel Çela kishte hall të më çonte në grackë, nga fillimi deri në fund. Siç e bëri. E realizoi” u shpreh Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë”.
Nuredin Dumani rrëfen se u rrethua nga tre makina…. “Një Benz” me targa greke i preu rrugën, ndërsa nga një benz “E-Class” shpërtheu breshëria. Në timon pa qartë të përhershmin, Talo Çelën.
Me plagë në trup, ai u hodh barkas për tu kundërpërgjigjur, por, atentatorët ishin zhdukur.
I plagosur rëndë, duke lënguar në vetmi mes gjakut dhe hijes së atyre që e kishin tradhtuar, Nuredin Dumani nuk e dinte ende se nuk ishte thjesht fundi i një lufte mes bandave. Ishte fundi i gjithçkaje…
Sapo atentatorët u larguan, ai kërkoi ndihmë. Fillimisht mori Henrik Hoxhën. Së bashku u nisën drejt Fierit.
Me një dorë në plagë dhe tjetrën në celularin e enkriptuar, i nisi mesazh çdo kontakti që kishte. Por, askush nuk i’u përgjigj…
Miqtë, bashkëpunëtorët, madje edhe ata që i kishte ngritur vetë, e lanë në baltë. Të tjerë i premtuan se do e ndihmonin, por, veç fjalë të harruara…
Disa orë pas atentatit, forca të shumta RENEA, rrethuan pallatin në Fier ku ai ishte fshehur, e ku po luftonte me vdekjen.
Pas arrestimit vendosi të flasë.
Në spital, ai nuk kërkoi avokat. As familjar. Kërkoi Altin Dumanin, kreun e SPAK. Mbiemrin e kishin të përbashkët, por, përfaqësonin botë të kundërta.
Krimi i plagosur kërkoi drejtësinë me të njëjtin mbiemër. Atë ditë, Dumani nuk rrëzoi vetëm veten.
Atentati që do shënonte fundin e një jete, solli lindjen e një dëshmitari. Dhe kronikat e krimit, nuk janë më kurrë njësoj.
Nuredin Dumani ka dëshmuar për dhjetëra ngjarje të tjera mafioze që implikojnë bandat më të rrezikshme në të gjithë Shqipërinë.
Këto dëshmi, përbëjnë sekret hetimor dhe janë ende në hetim nga Prokuroria e Posaçme. Dhjetëra dosje themeli të mbetura pezull janë nxjerrë nga arkivat dhe janë në proces kryqëzimi me dëshmitë.
Duke analizuar edhe aplikacionin tjetër MATRIX që është përmendur gjerësisht nga Nuredin Dumani, të tjera dosje të forta pritet të trondisin nga themelet disa banda të rrezikshme me lidhje në nivele të larta./TOP CHANNEL