Policia greke ka rihapur edhe njëherë hetimet për vrasjen e ndodhur në 9 maj 2024 në Virona të Athinës, ku u ekzekutua 32-vjecari shqiptar Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i njohur shkurt si “Sidi”. Ai kishte mbërritur nga Dubai në Athinë dhe u qëllua me armë brenda automjetit të tij. Mediat greke shkruajnë se ka dyshime që atentati i së dielës në Thrakomakedones të Athinës, mund të ketë lidhje me këtë sagë hakmarrje të nisur nga Shqipëria. Objektiv i atentatit, sipas burimeve, me shumë mundësi ka qenë 46-vjecari Edi Lulo alias Etmond Hysa, i cili jeton në Dubai dhe në 9 dhjetor kishte ardhur në Greqi pas një fluturimi nga Duseldorfi i Gjermanisë.
Policia ka identifikuar edhe një prej dy personave të tjerë që ndodhej në kafe me Irakli Davellën dhe Edi Lulon, pak para atentatit. Bëhet fjalë për personin që ndodhej pranë viktimave në momentin e të shtënave. Ai është një shqiptar që njihet në Greqi me pseudonimin “Pigmakos” që në shqip përkthehet “Boksieri”. Ai rezulton me precedentë penalë për gjobvënie dhe vjedhje, ndërkohë që dyshohet se ka mbetur i plagosur lehtë në ngjarje. Policia greke është vënë në kërkim të tij, për të marrë dëshminë, pasi rezulton të jetë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Pavarësisht se objekt i atentatit duket të ketë qenë Edi Lulo alias Etmond Hysa, një ish i dënuar në Greqi për grabitje të armatosura në bashkëpunim të shumave të mëdha të parave, policia vazhdon të kalojë në sitë edhe lidhjet apo problematikën rreth figurës së 47-vjecarit nga fshati Mesopotam i Bashkisë Finiq, Irakli Davella, i cili mbeti i vrarë në atentat. Në lidhje me përfshirjen e tij në një grup kriminal shqiptari-grek në vitin 2009, të përfshirë kryesisht në gjobvënie, ai është dënuar me 14 vite burg, të pezulluara më pas me kusht. 3 prej pjestarëve të grupit të atëhershëm, rezultojnë të vrarë në 7 vitet e fundit, ndërsa disa të tjerë të arrestuar apo në kërkim në lidhje me ngjarje të mëpasshme. Emri i tij rezulton i përfshirë dhe në një skemë mashtrimi me ceqe të këqija në vitin 2011 në Korfuz, ku personazh kryesor ishte një ish i dënuar për trafik droge nga Saranda, aktualisht biznesmen, ndërkohë që në hetim dolën edhe emra politikanësh lokalë në Korfuz si dhe oficerë policie. Davella në fakt prej vitesh nuk i ka shqetësuar organet ligjzbatuese greke, por ka ruajtur gjithsesi marrëdhënie me elementë kriminalë, përfshirë këtu një kontakt me një tjetër mafioz grek të ekzekutuar në vitin 2022, apo me personazhe të përfshirë në kontrabandën e karburanteve apo në tregëtinë e makinave. Policia greke i ka zbuluar Davellës edhe lidhjen miqësore me një politikane greke, ndërkohë që ai rezulton se ka qenë anëtar i këshillave drejtuese të dhomave të tregëtisë si dhe ka një kompani e cila merret me mbështetje teknike të aktiviteteve, përfshirë dhe ato elektorale të kandidatëve për deputetë.
Hetimet e policisë greke do të fokusohen rreth figurës së 46-vjecarit Edi Lulo alias Etmond Hysa, për të cilin nga pala shqiptare kanë mbërritur informacione se ka dyshime të jetë pjesë e grupeve shumë të fuqishme në Shqipëri të përfshira në trafik droge apo ngjarje shumë të rënda kriminale.
Për mediat greke, nuk përjashtohet mundësia që objektiv të kenë qenë edhe të dy viktimat, pasi ata ishin disi në distancë kur është hapur zjarr dhe autorët duket se kanë qëlluar ndaj të dyve. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e automjetit tip “Polo” nga ku u hap zjarr, i cili ishte vjedhur disa orë më parë në Patisia të Athinës.