Atentati në banesën e Gentian Bejtjes, policia kontroll në banesat e të fortëve të Niklës

0
1428

Fax news mëson detaje të reja në lidhje me atentatin  e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Larushk, ku pas vrasjes së Ramazan Sinos, dhe plagosjes së dy djemve të Gentian Bejtjes, policia ka ushtruar kontrolle në banesat e të fortëve të Niklës.

Mësohet se pas kontrolleve, policia ka shoqëruar Durim dhe Valter Bamin, si dhe shtetasin Mareklen Haka, për ti marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pas mesnate.

Burime bëjnë me  dije se të tre ata kanë mohuar lidhjen me ngjarjen, ndërsa nuk dihet nëse në banesat e tyre është gjetur diçka që mund ti lidhë me atentatin në banesën e Bejtjes.

Dinamika e atentatit pas mesnate 

Zbardhet dinamika e atentatit ndaj Gentjan Bejtjes, ku si pasojë humbi jetën kunati i tij Ramazan Sino, dhe u plagosën dy djemtë 8 dhe 13-vjeç. Autorët kanë qëlluar pa mëshirë drejt objektivit, edhe pse aty ka pasur fëmijë.

Familja ka qenë e gjitha në oborr, ku përveç Bejtjes e viktimës, aty kanë qenë edhe fëmijë e gra. Ata kanë qenë te gjithë në derën e brëndshme të oborrit të banesës.

Ndërsa autorët kanë qëlluar nga dy lloje armësh me breshëri në derën kryesore të oborrit, nga një distancë rreth 35-40 metra. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gati 25 gëzhoja.

Sipas burimeve mësohet se autoret kanë bërë pritë, ku kanë qëndruar disa minuta jashtë banesës.

Në momentin që ka hyrë makina e kunatit dhe Bejtja ka dalë në oborr ata kanë qëlluar me breshëri, më pas autorët kanë hyrë sërish në ambientet e brendshme të shtëpisë dhe kanë qëlluar objektivin.

Menjëherë pas atentatit autorët e dogjën mjetin e tyre në afërsi të Tapizës, ndërkohë që brenda makinës u gjetën dhe 3 armë kallashnikovë.

Por kush është Gentjan Bejtja?

Bejtja një ish-punonjës i policisë së burgjeve njihet nga strukturat e policisë për backgraundin e tij kriminal dhe hasmërinë e krijuar me disa grupe kriminale të Fushë Krujës me të cilët kishte qenë më parë në miqësi.

Bejtja i ka shpëtuar dy atentateve, ku në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur.

Ai i ka shpëtuar edhe në 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë ku edhe në atë kohë u dëmtua.

Ai është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013.