Atentatorët gabuan shënjestër, synohej eliminimi i nipit të Ardian Nikulaj i vrarë në 2023, i plagosuri jashtë rrezikut

0
2

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin me armë zjarri të ndodhur mbremjen e të dielës në fshatin Rrilë të Lezhës.

Brenda berberhanës kanë qenë disa persona, përfshirë një polic dhe një anëtar i fisit Nikulaj. Dyshohet se objektiv i sulmit me armë nuk ka qenë 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanës, por një nga personat e tjerë që kanë qenë brenda saj.

Sipas burimeve, mendohet se qëllimi ka qenë eleminimi i nipit të biznesmenit Ardian Nikulaj, i ekzekutuar gjithashtu në një atentat në vitin 2023.

Policia po ushtron kontrolle në klinika dhe spitale private, pasi dyshohet të jetë plagosur dhe shënjestra e këtij atentati me armë zjarri.

Sipas të dhënave, autorët, të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona, kanë ardhur me një automjet tip Audi, dhe njëri prej tyre ka zbritur dhe ka qëlluar me breshëri automatiku.

Ndërkohë, në berberhanë ndodheshin 4 persona, të cilët mendohet se janë kundërpërgjigjur po me armë.

Autorët dyshohet se kanë qenë të veshur me rroba ushtarake dhe me kapuç në kokë, ndërsa menjëherë pas ngjarjes janë larguar në drejtim të rrugës që të çon për në fshatin Shëngjoll.

Ndërkohë, është marrë edhe dëshmia e policit, i cili ka qenë aty në momentin kur ka ndodhur atentati. Ai ka thënë se ishte rastësisht aty dhe nuk ka arritur t’i identifikojë autorët, por ka qëlluar me armë për t’i neutralizuar ata.

Ekspertët e policisë janë rikthyer sërish paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrilë të Lezhës, pranë biznesit ku ndodhi atentati me armë zjarri një natë më parë. Ata kanë marrë gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes, të cilëve do t’u bëhet ADN për të parë nëse kemi të bëjmë me një person tjetër të plagosur dhe identitetin e tij.

Ndërkohë, nga të shtënat, 4 plumba kanë prekur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanës, por fatmirësisht personat që ndodheshin brenda kanë shpëtuar mrekullisht./vizionplus.tv