Athinë/ Shisnin drogë në Kampusin Universitar, mes të arrestuarve 2 shqiptarë

0
2

Katër persona janë arrestuar nga Policia e Greqisë pranë Kampusit Universitar të Zografou në Athinë, pasi dyshohen si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë brenda territorit universitar.

Sipas hetimeve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë, grupi përbëhej nga dy shtetas shqiptarë dhe dy grekë dhe drejtohej nga një 27-vjeçar shqiptar. Aktiviteti kriminal zhvillohej prej të paktën shtatorit 2025 dhe kishte strukturë të mirëorganizuar me role të ndara.

Hetimi disa mujor, gjatë të cilit u përdorën mjete teknike si dronë dhe mikrokamera, çoi në zbulimin e një pike të përhershme shitjeje droge pranë konvikteve studentore, brenda një parku me pemë, për t’iu shmangur kontrollit të autoriteteve. Një dron, sipas policisë, ka qenë elementi që “tradhtoi” aktivitetin e grupit.

Mediat greke raportojnë se 27-vjeçari shqiptar mbikëqyrte personalisht shitjen e drogës, kontrollonte sasinë në dispozicion dhe mblidhte të ardhurat, ndërsa furnizonte me lëndë narkotike një shtetas grek 49-vjeçar, i cili kishte rolin e “shitësit” në terren. Ky i fundit qëndronte pothuajse gjithë ditën në pikën e shpërndarjes dhe dorëzonte paratë e përfituara te anëtarët e tjerë të grupit.

Për dokumentimin e aktivitetit, një oficer policie u paraqit si klient dhe bleu një sasi kanabisi kundrejt 10 eurove, çka vulosi provat ndaj të dyshuarve.

Gjatë kontrolleve në banesat e katër të arrestuarve u sekuestruan rreth 6 kg kanabis i papërpunuar, 24.5 gramë kokainë, 24,595 euro cash, tetë telefona celularë, dy laptopë si dhe një motoçikletë e përdorur për lehtësimin e veprimtarisë kriminale.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.