Australi, rritet agresiviteti ndaj policisë për aplikimin e masave anti-covid

0
297

Australianët në shtetin e Viktorias kanë kaluar natën e dytë të izoluar prej pandemisë së koronavirusit. Për ata që refuzojnë urdhrat e karantinës do rriten gjobat dhe ushtria do i vijë në ndihmë policisë për personat më agresivë.

Shteti i Viktorias në Australi do të nisë të përdorë ushtrinë për të detyruar banorët të zbatojnë urdhrat e izolimit prej kovidit-19, dhe gjoba të larta për ata që i shkelin ato.

Duke nisur nga kjo javë, në shtetin e dytë më të popullor australian është vendosur gjendja e shtetrrethimit në orët e natës, që ka kufizuar lëvizjet për të ndalur përhapjen e infeksionit.

Viktoria raportoi gjatë ditës 439 raste të reja me koronavirus dhe 11 viktimat në 24 orë e çuan në 232 bilancin e përgjithshëm të personave të ndarë nga jeta nga sëmundja vdekjeprurëse.

Me gjithë situatën e infeksionit në javët e fundit, shumë australianë vijojnë të mos i binden urdhrave për vetizolim kur janë infektuar apo kërkesave për maska.

Penaliteti për rastin e parë pritet të rritet në 5 mijë dollarë australianë.

Problem për autoritetet mësohet se është bërë kundërshtimi fizik i forcave policore që apelojnë për respektimin e masave, dhe këto ditë të paktën një oficere policie mori goditje në kokë pse i kërkoi një klienteje në një qendër tregtare të mbante maskën në ambientet e brendshme.

“Po vërejmë një shtim të grupeve të vogla njerëzish që e quajnë veten qytetarë sovranë dhe që mendojnë se ata nuk i nënshtrohen ligjit. Vetëm javën e kaluar në tri-katër raste na është dashur t’u thyejmë xhamat e makinave dhe t’i nxjerrim me forcë sepse nuk jepnin detaje ku po shkonin, as emrin dhe as adresën. Çdo veprim juaji ka pasoja, dhe po nuk vepruat drejt, as ne nuk do hezitojmë t’ju penalizojmë, t’ju arrestojmë dhe t’ju burgosim po qe nevoja.”

Nga kjo javë në shtetin e Viktorias janë ndaluar daljet nga shtëpia për ushtrime fizike në natyrë, madje edhe për ndihmë mjekësore sugjerohet të kontaktohet shërbimi i ambulancës.

Kryeqyteti i shtetit juglindor të Australisë, Melburni, u zgjua të martën për të dytën ditë radhazi i boshatisur.

Urdhri për shtetrrethim do të aplikohet për 6 javë nga ora 8 e mbrëmjes deri në orën 5 të mëngjesit për rreth 5 milionë banorët deri sa të kalojë ajo që qeveria quan gjendje fatkeqësie.