Të paktën 26 persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në Indonezi.
Ngjarja ndodhi në ishullin malor të Sumatrës kur autobusi me afro 50 pasagjerë brenda doli nga rruga duke rënë në një greminë 150 metra më poshtë.
“Autobusi kaloi kryqëzimin dhe pasi goditi barrierën prej betoni mori drejtimin për në luginën e thellë. Shkaqet ende nuk janë sqaruar ndërsa vazhdon operacioni për evakuimin e trupave,” njoftoi në orët e para të së martës shefi i policisë rrugore të ishullit.
Dëshmitarët treguan se disa prej viktimave që i mbijetuan goditjes së parë humbën jetën pas fundosjes së mjetit në lumë.
Sipas tyre shoferi raportoi një problem me sistemin e frenave të autobusit në momentin e aksidentit.
Standardet e ulëta të sigurisë dhe infrastruktura e dobët në shumë zona rurale indoneziane bëhen shpeshherë shkaqe për aksidente.
Një ndodhi e ngjashme në shtator u mori jetën 21 pasagjerëve të një autobusi në ishullin Java, ndërsa disa muaj më herët 12 veta u vranë dhe me dhjetëra u plagosën pas përplasje që shkaktoi zënka e çastit mes shoferit dhe pasagjerëve.
Ora tv