Pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, për vendosjen e gjobave në 24 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të maskave dhe dezinfektantëve, ka reaguar Unioni i Biznesit Farmaceutik.
Sipas tyre ky vendim është antiligjor dhe jo profesional pasi dënon në mënyrë kolektive të gjithë operatoret e tregut të farmaceutikëve, pavarësisht nëse kanë tregtuar apo jo materiale paramjekësore.
Anëtarët e Shoqatës dënojnë vendimin e Autoritetit të Konkurrencës i cili jo vetëm që nuk është profesional por, haptazi bart elementë të paligjshmërisë pasi dënon në mënyrë kolektive të gjithë operatorët e tregut të produkteve farmaceutike, pavarësisht nëse kanë tregtuar ose jo materiale paramjeksore:
Edhe pas leximit të vendimit të publikuar në faqen e Autoritetit të Konkurrencës, ende nuk dihet cila është shkelja e pretenduar e kryer në grup apo individualisht nga operatorët e ndëshkuar me vendim.
Autoriteti i Konkurrencës, në vendimin e mëparshëm të Mars 2020, në fakt nuk ka vendosur asnjë masë konkrete kundrejt operatorëve shkelja e të cilave do të përligjte vendosjen e sanksioneve ndaj shkelësve.
Gjithashtu, në vendim, Autoriteti nuk merr mundimin të tregojë se cila nga masat e paqarta është shkelur dhe nga cili operator konkretisht. Gjithashtu, konstatohet se nuk është ndërmarrë as veprimi më minimal për të individualizuar konkretisht operatorët që kanë importuar dhe/ose tregtuar materiale paramjeksore, por Autoriteti në vendim është mjaftuar me faktin që operatorët e përmendur dhe ndëshkuar në vendim, janë operatorë të tregut farmaceutik me shumicë.
Është rast i paprecedentë që ndërmarrjet e tregut ndëshkohen me gjoba, pa ju dhënë e drejta të dëgjohen apo të parashtrojnë fakte dhe të paraqesin prova në lidhje me shkeljen e pretenduar. Kjo përbën cenim të standardit kushtetues dhe konventor për një proces të rregullt ligjor”, thuhet në reagimin e Unionit të Biznesit Farmaceutik.
Më tej në reagim thuhet se nëse vërtetë Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar shkelje të sjelljeve antikonkurruese unioni është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të luftojë këtë fenomen por se nuk do të lejohet ndëshkime kolektive dhe pa shkaqe ligjore.
“Nëse vërtet Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar shfaqje të sjelljeve tregtare antikonkurruese, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe ofrojmë të gjithë ndihmën tonë për të luftuar dhe madje ndëshkuar këtë fenomen që është i dëmshëm dhe për ne dhe shoqërinë kosumatore, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye ne nuk do lejojmë që ndëshkime kolektive dhe pa shkaqe ligjore të përdoren për të justifikuar në mënyrë arbitrare kryerjen e detyrave institucionale të Autoritetit të Konkurrencës”, ka njoftuar Unioni i Biznesit Farmaceutik.
n.d./abcnews.al