As këtë të enjte, në Rinas nuk është ulur avioni që do të sillte afganët e parë në Shqipëri. Bllokimi nga talebanët i rrugëve që të çojnë në aeroportin e Kabulit, ka ngrirë fluturimet. Edhe ata pak avionë amerikanë që janë nisur drejt SHBA-së, kanë pasur në bord shumë pak njerëz, nga pamundësia e tyre për të carë pikat e kontrollit të talebanëve, e për të hyrë në aeroport. Gjithsesi, Shqipëria nuk i ka ndalur përgatitjet.
Në Rinas çadrat ushtarake me mjekë, psikologë, ushqime dhe mjete higjienike janë në gatishmëri. Po ashtu edhe mjetet për t’i transportuar ata drejt Durrësit e Tiranës. Megjithëkëtë, këto dy qytete nuk do të jenë të vetmet që do të përballojnë fluksin e refugjatëve.
Në Lezhë po ashtu po verifikohen disa hotele që po lirohen nga turistët, për tu vënë në dispozicion të emigrantëve. Edhe një hotel në Berat me kapacitet rreth 300 shtretër, është bërë gati për një strehim të mundshëm të afganëve, në rast se fluturimet do të nisin me intensitet.
Qeveria Shqiptare dhe Ambasada Amerikane po punojnë dhe me organizata të ndryshme humanitare që operojnë në vendin tonë, për të lehtësuar menaxhimin e situatës. Shifra e vetme e refugjatëve që mund të mbërrijnë në vendin tonë, është ajo e artikuluar nga Kryeministri Rama, që tha se brenda kësaj jave do të mirëpriten 1 mijë afganë./ Abcnews.al