Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të një prej arritjeve më mbresëlënëse të inxhinierisë ajrore – aeroplanin WindRunner, aktualisht në ndërtim nga startup-i Radia me seli në Kolorado. Ky avion, që konsiderohet më i madhi në botë, do të ketë një gjatësi prej 108 metrash dhe një hapje krahësh prej 80 metrash, shkruan A2 CNN.
Me një kapacitet transporti që tejkalon 72 575 kg, WindRunner ofron 12 herë më shumë hapësirë ngarkese se një Boeing 787. Fillimisht i projektuar për të mbështetur industrinë e energjisë së erës, veçanërisht në transportin e fletëve gjigante të turbinave që arrijnë deri në 100 metra gjatësi, ky avion ka tërhequr vëmendjen e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Pentagoni shpreson të përdorë këtë mjet fluturues për transportimin e pajisjeve të mëdha për lëshime hapësinore, si dhe për ndihma humanitare në rajone të largëta ose të goditura nga fatkeqësi natyrore, shkruan A2 CNN. Sipas CEO-s së Radia, Mark Lundstrom, WindRunner është projektuar për të dërguar ngarkesa jashtëzakonisht të mëdha në zona që deri më sot kanë qenë të paarritshme për avionët konvencionalë.
Ky bashkëpunim sinjalizon një epokë të re në bashkëveprimin midis sektorit privat dhe mbrojtjes kombëtare amerikane. Me dizajnin e tij unik dhe kapacitetin për të transformuar logjistikën ajrore, WindRunner pritet të luajë një rol të rëndësishëm në përballimin e sfidave globale – nga zhvillimi i teknologjisë hapësinore, deri te përballimi i krizave humanitare në të gjithë botën. (A2 Televizion)