Azerbajxhani dhe Armenia, me ndërmjetësinë e Rusisë kanë rënë dakord t’i japin fund luftimit të ashpër gjashtëjavor në lartësirën e Karabakut që ka lënë mbi 1 mijë të vrarë.
Marrëveshja tripalëshe hyri në fuqi pas mesnatës disa orë pasi forcat separatiste armene konfirmuan se ushtria azere avancoi duke pushtuar një ndër qytetet e tyre kryesore.
Sipas akordit për armëpushim, dy shtetet fqinje të Kaukazit kanë pranuar të mbajnë pozicionet e tyre, të shkëmbejnë të burgosurit dhe trupat e të rënëve në luftë, të zhbllokojnë linjat ekonomike dhe të transportit, dhe të lejojnë rikthimin në shtëpi të personave të shpërngulur.
“Kjo marrëveshje ka premisën të krijojë kushtet e nevojshme për zgjidhjen e drejtë dhe afatgjatë të krizës në interesin e popujve armenë dhë azerë,” njoftoi presidenti rus Vladimir Putin.
Kremlini shtoi se një kontingjent me gati 2 mijë trupa paqeruajtëse nga Rusia do të stacionohet përgjatë vijës së kontaktit në Nagorno-Karabakun për 5 vitet e ardhshme.
Pala azere u shpreh krenare për marrëveshjen, por në kryeqytetin armen ajo u prit me trazira.
Qytetarë të shumtë protestuan në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit pse ai pranoi disfatën para kundërshtarëve azerë.
Protestuesit e revoltuar iu drejtuan edhe selisë qeveritare duke hyrë me forcë, duke thyer xhamat dhe orenditë e brendshme.
Kryeministri armen, Nikol Pashinian, deklaroi se vendimi që ai mori ishte jashtëzakonisht dhe e vetmja mënyrë për të ndalur gjakderdhjen në territorin e Nagorno-Karabakut.
Përleshjet në rajonin separatist vijojnë nga vitet ’90 por u rindezën këtë vit më 27 shtator.
Sulmet me artileri të rëndë, me tanke dhe raketa rezultuan më fatale për ushtrinë armene, ndërsa Azerbajxhani ka raportuar vetëm civilë të vrarë në tokën e vet.