Ish-trajneri i kombëtares së Shqipërisë Xhani De Biazi do të kthehet sërish në vendin tonë. UEFA ka vendosur që ndeshja e 13 tetorit midis Azerbajxhanit dhe Qipros, e vlefshme për grupin 1 të Ligës C për Ligën e Kombeve, do të luhet në “Elbasan Arena”.
Vendimi i qeverisë së futbollit europian vjen si pasojë e konfliktit të armatosur midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin autonom të Nagorno-Karabakut, ku prej disa javësh janë vrarë shumë civilë dhe ushtarë. Mungesa e sigurisë së fluturimeve dhe akomodimit në këto dy shtete ka detyruar UEFA-n të ndryshojë terrenet për zhvillimin e takimeve ndërkombëtare.
Kujtojmë që italiani De Biazi ka marrë drejtimin e kombëtares azere.
Edhe Armenia është e detyuruar të luajë jashtë “shtëpisë” së saj. Kombëtarja transkaukaziane do të luajë në Poloni sfidën e 11 tetorit të Ligës së Kombeve ndaj Gjeorgjisë.
PANORAMASPORT.AL