Ekspertët e shëndetit mendojnë se nënvarianti Omicron ka qarkulluar shumë më herët se data 5 prill kur ISHP njoftoi zyrtarisht prezencën e tij në Shqipëri.
Ilir Alimehmeti: Të shqetësohesh sot për diçka që ka ndodhur në shkurt nuk do të bënte sens apriori. Nëse do ishte një fotografi e bërë sot ne do të prisnim se çfarë do të ndodhte por është një fotografi e bërë në të kaluarën dhe ne e kemi parë që në të kaluarën nuk ndodhi gjë.
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti thotë se BA2 ka transmetueshmëri të lartë por në vend situata është e qetë, me një nivel të ulët të fataliteteve e infektime të pakta.
Ilir Alimehmeti: Është 4-5 javë e vjetër si kohë dhe ne ndërmjet kemi pasur 4-5 javë krejtësisht të qeta, me shifra të ulëta infektimesh të reja, më një numër spitalor që ra në mënyrë progresive derisa ndaloi diku te 14-15 dhe qëndron te kjo shifër.
Por edhe pse jo shqetësues, nënvarianti Omicron mund të shkaktojë komplikacione të rënda.
Ilir Alimehmeti: Shkakton me risk më të ulët se Delta te po të njëjtat grupe, personat vunerabël.
Të imunizuarit, qoftë në mënyrë natyrale apo përmes vaksinës, janë më të mbrojtur.
Ilir Alimehmeti: BA2 nuk e kapërcen dot njohjen imunitare pas kalimit të BA1. Ndoshta se janë shumë të ngjashëm, por edhe sepse koha është shumë e afërt, Omicron ka kaluar në dhjetor, janar, shkurt.
Epidemiologu, Ilir Alimehmeti, thotë se vera parashikohet të jetë e qetë, por vjeshta dhe dimri mund të sjellin rritje të infektimeve.
Ilir Alimehmeti: Me interes të veçantë duhet të shohim vjeshtën dhe dimrin që vjen, është virus respirator, është periudha kur mund të acarohet më shumë. Por nuk do të jetë kurrë një dimër si ky, siç ky nuk ishte një dimër si dimri i mëparshëm. Duhet ti gëzohemi pranverës.
Në dhjetëditëshin e parë të muajit prill në Shqipëri janë regjistruar rreth 560 raste me Covid 19 dhe për fat të mirë nuk është shënuar asnjë humbje jete.
Në spitalin Covid 3 situata është e qetë me vetëm 11 pacientë të shtruar.