Në pamundësi shëndetësore për të punuar, Klodiani, baba i tre fëmijëve të mitur nga Elbasani, përpiqet të sigurojë jetesën atje ku të tjerët hedhin gjërat e pavlera. Kazan pas kazani, ai përpiqet të mbledhë sa më shumë kanaçe dhe plastikë, për të rritur dhe arsimuar fëmijët e tij. Jeta nuk është treguar shumë bujare me Klodianin.
Një problem me shpatullën dhe shtyllën kurrizore e ka bërë të pamundur të punojë. Por nga ana tjetër ai është baba i tre fëmijëve të cilët përveçse duhen ushqyer dhe veshur duhen edhe shkolluar.
Pikërisht për të përmbushur këto detyrime si baba, ai ka lënë mënjanë vështirësitë që i ka përballur jeta dhe mes kazanëve të mbeturinave përpiqet çdo ditë të sigurojë sado pak të ardhura për familjen e tij.
Teksa e pyet nëse ka kërkuar ndihmë, Klodiani nuk ka asnjë iluzion që hallet e tij mund t’i zgjidhë dikush tjetër.
Ndonëse nuk është i vetmi që përpiqet të sigurojë jetesën e familjes me këtë punë, ai shpreson se çdo kush ka kismetin e tij.
Ato që të tjerët i hedhin, për Klodianin dhe shumë të tjerë si ai, është shpresa nga ku mund të nxjerrin çdo ditë të ardhurat minimale për fëmijët e tyre. (A2