Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “duke filluar nga java tjetër, do t’i propozojë Konferencës së Kryetarëve që mbledhjet e komisioneve parlamentare të zhvillohen duke respektuar distancat, ndërkohë që deputetët duhet të jenë të vaksinuar”.
Në një prononcim për mediet nga selia e Kuvendit, Balla tha se “çdo deputet do të duhet të vetëdeklarojë certifikatën e vaksinimit, ndërsa në rastet që mjekët nuk rekomandojnë vaksinimin të sillet testi i kryer brenda 48 orëve të fundit”.
“Si në Parlament edhe në mbledhjet e komisioneve nuk merr pjesë nëse nuk je i vaksinuar.
Koha që u fitua gjatë kësaj jave ishte pasi axhenda parlamentare ishte e tillë që të kërkonte mirëkuptim nga ana e PD-së. E kuptoj se hallet brenda në shtëpi i shtyjnë të krijojnë problematika të panevojshme”, tha Balla.
Lidhur me praktikën e zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve online, Balla tha se “në raste të caktuara do të vijojnë”.
Ndërsa kur bëhet fjalë për seancë dëgjimore dhe për çështje që kërkojnë debat të zgjeruar, Balla tha se ato do të zhvillohen me prezencë fizike në komisione.
“Do t’i bëja thirrje shpirtrave të trazuara në PD, se kjo çështje është e qartë. I bëj thirrje deputetëve për të kryer vaksinimin me dy doza dhe prej javës tjetër Konferenca e Kryetarëve do t’i japi dritën jeshile kalimit në mënyrë tradicionale të zhvillimit të mbledhjeve të Komisioneve”, tha Balla.
“I lutem opozitës të mos harxhojmë kohë kot për këtë çështje dhe të vijojmë punën normale. Në dijeninë time opozita ka kërkesa për komisione hetimore. Po ashtu në
3 komisione ka paraqitur kërkesa për seanca dëgjimore me përfaqësues të Këshillit të Ministrave, por këto duhen planifikuar në kohë. Dëshira jonë është që kjo legjislaturë e re të filloj punën mbarë”, tha ai.