Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët për mediat me presidentin serb Aleksander Vuçiç dhe zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov është shprehur se thelbi i “Ballkanit të Hapur” është zgjerimi i ekonomive dhe tregjeve të vendeve të rajonit.
FJALA E RAMËS
“…Dhe, më vjen shumë mirë që jemi fokusuar aty ku është edhe thelbi i kësaj nisme. Si të zgjerojmë ekonomitë tona, tregjet tona që mbeten të vogla. Nëse integrohen me njëri-tjetrin kthehen në një treg të rëndësishëm jo vetëm për aktorët tanë të tregut por edhe investimet e huaja direkte në këtë zonë.
Kjo shihet në Serbi edhe në vende të tjera. Që të përfitojmë investime të huaja direkte që sjellin punësim cilësor duhet të ofrojmë një hapësirë më të gjerë. Më vjen shumë mirë që na u dha mundësia të ballafaqohemi direkt me sipërmarrës nga Shqipëria, Serbia, RMV dhe me problemet e tyre reale. Ata kërkuan që që ne nënshkruajmë të kthehet në realitet të prekshëm për ta në kufi, aty ku fillojnë problemet. Duke ndenjur me ditë në kufi shtohen kostot por në mënyrë marramendëse edhe kostot negative mbi vetë produktet.
I bie që qumështi të bëhet kos, nga e premtja deri të hënë. Nga Konispoli deri në Serbi, nga ara në treg duke i kaluar nëpër dogana apo tre javë për të pritur konfirmimin nga agjencia e vendit tjetër për produkte që t’i sjell nga një vend tjetër.
Takuam Këshillin e Atlantikut, ka ardhur nga SHBA në mbështetje të kësaj përpjekjeje duke pritur që të njihemi me rezultatet e një studimi që do të ekspozohet në Tiranë për përfitimet nga Ballkani i Hapur i të gjashtë vendeve. Kemi rënë dakord për një qëndrim të përbashkët adresuar BE, duke kuptuar situatën me bllokimin absurd që i është procesit të RMV dhe Shqipërinë, por duke nënvizuar se nuk kemi asnjë lëkundje për të ndërtuar në vendet tona standartet e BE. Jemi të bindur se ndërsa ata janë të zhytur në problemet e tyre mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit, mbështetje për fermerët tanë, universitetet, në segmente të caktuara…Duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor si pjesë të vetën kur vjen puna tek energjia. Kemi vënë re se gjatë 8 muajve të fundit fluksi i turistëve nga Serbia është rritur 63 për qind, nga RMV, 22 për qind, shifra që ndihen në ekonomi.”