Pamjet në mediat sociale tregojnë se sa shpejt shirat përmbytën rrugët dhe ndërtesat në mjaft vende në Ballkanin Perëndimor.
“Situata është shumë serioze, shumë njerëz nuk mund të largohen nga banesat”, shkroi kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Niksic në platformën X. Sipas zëdhënësit të qarkut, Darko Jukan, qyteti i Jabllanicës, me një popullsi prej 4,000 banorësh, nuk ka për momentin asnjë lidhje me botën.Qeveria në Bosnje-Hercegovinë krijoi një shtab krize dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Edhe në vendin tonë, situata në disa qytete u përkeqësua ditën e djeshme brenda pak minutash. Situata më e rënduar është në Vlorë ku u përmbytën disa lagje, disa rrugë e kryqëzime janë ende të bllokuara. Probleme ka edhe në rrugën lidhëse të autostradës Vlorë-Fier me Transballkaniken.
Edhe në Bosnje-Hercegovinë ka probleme me rrugët e bllokuara. Aldin Brasnjic, drejtues i Zyrës për Mbrojtjen Civile të federatës boshnjako-kroate, tha se ekipet e shpëtimit ende nuk kanë arritur të depërtojnë në disa fshatra për shkak të rrugëve të bllokuara. Ai tha se shirat që parashikohen gjatë fundjavës do t’i vështirësojnë përpjekjet e tyre edhe më tej.
Edhe në qytetin Kiseljak, rreth 20 kilometra nga Sarajeva, janë nën ujë shumë shtëpi, kopshte dhe makina, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.
Ndërkohë edhe Kroacia lëshoi një paralajmërim për përmbytje për qytetin bregdetar të Rijekës dhe zonat e brendshme të vendit.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ndryshimet klimatike po i rrisin gjasat, intensitetin dhe kohëzgjatjen e ngjarjeve ekstreme të motit si shirat e rrëmbyeshëm./ DW
Top Channel