Punimet për ndërtimin e aksit të ri rrugor Elbasan–Rrogozhinë kanë hyrë në një fazë të avancuar, duke shënuar përparim të ndjeshëm në realizimin e një prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore të Korridorit VIII. Ky aks është projektuar si autostradë e kategorisë A, që do të mundësojë lëvizje të sigurt dhe me shpejtësi të lartë, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet rrugore kombëtare dhe rajonale.
Aktualisht, puna po zhvillohet paralelisht në disa fronte për të siguruar ecuri të qëndrueshme dhe për të përmbushur objektivat e projektit në afatet e përcaktuara. Përfundimi i këtij segmenti pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, duke reduktuar distancën dhe kohën e udhëtimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në lotin 5, që përfshin aksin Papër – Ura e Grykshit.
Në këtë segment, përveç ndërtimit të trasesë kryesore, projekti parashikon edhe ngritjen e një ure me gjatësi 330 metra linearë, si dhe ndërtimin e disa veprave të tjera mbështetëse.
“Ecuria fizike në këtë kantier është shumë e mirë, me mbi 60% të punimeve të realizuara. Deri më tani nuk kemi hasur problematika. Traseja është hapur tërësisht, ndërsa mbushjet kanë përfunduar në mbi 80%. Janë ndërtuar pesë vepra hidrike për kalimin e ujërave dhe dy nënkalime për akses më të mirë të tokave bujqësore,” deklaroi drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Punimet në këtë lot janë më të avancuara krahasuar me kantieret e tjera të projektit. Ministrja Balluku theksoi rëndësinë e përmbushjes së afateve kontraktuale dhe të hapjes së plotë të 5 loteve të para për qarkullim në qershor 2026.
“Synimi ynë është që deri në qershor 2026 të përfundojmë plotësisht 18 kilometrat e parë të segmentit, duke e kthyer atë në një autostradë të tipit A, me standarde të plota europiane. Rruga do të ketë dy korsi në secilën drejtim me gjerësi 3.75 m, si dhe një korsi emergjence prej 3 metrash nga çdo anë,” u shpreh Balluku.
Gjatë inspektimit, Ministrja u ndal edhe tek projekti i bypass-it të Elbasanit, që aktualisht përbën një prej pikave më problematike për qarkullimin, sidomos gjatë fundjavave.
“Bypass-i i Elbasanit është një zgjidhje e shumëpritur. Edhe jashtë sezonit veror, trafiku mbetet i ngarkuar, veçanërisht të premten pasdite dhe të hënën në mëngjes. Qëllimi ynë është që deri më 1 korrik 2026 të përfundojmë 3 kilometrat e parë, përpara fillimit të sezonit veror,” theksoi ministrja Balluku, duke shtuar se projekti do të pasohet nga faza tjetër, e cila pritet të financohet me fonde të huaja.
Segmenti Elbasan–Rrogozhinë, me një gjatësi totale prej 40 kilometrash, është pjesë strategjike e Korridorit VIII dhe përfshin ndërhyrje të posaçme për mbrojtjen lumore, pasi një pjesë e tij shtrihet përgjatë shtratit të lumit Shkumbin. Ky projekt pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të zonës, duke përmirësuar infrastrukturën, aksesin për bizneset dhe sigurinë rrugore.