Bamje me Hudhra dhe Vaj Ulliri – Shpejt, Lehtë dhe Shëndetshëm

0
367

Dashamirësit e bamjes, një perime tepër e shëndetshme për organizmin, janë gjithnjë në kërkim të recetave interesante për gatimin e saj.

Pas kërkesave të shumta për receta të gatimit të bamjes, AgroWeb.org rekomandon recetën e mëposhtme që është shumë e thjeshtë dhe e shijshme.

Receta ka të bëjë me kavërdisjen e bamjeve me hudhër, një pjatë e lehtë verore dhe aromëplotë.

Përbërësit:

500 gramë bamje

2 thelpinj hudhër

2 lugë çaji me vaj ulliri ose vegjetal.

Përgatitja:

Prijini bishtat e bamjeve dhe pastrojini me ujë të bollshëm.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon t’i lini në një tenxhere me ujë dhe uthull molle për 30 minuta në mënyrë që t’u largohet pushi.

Në vijim, thajini me letër kuzhine dhe vendosini mënjanë.

Sigurohuni që bamjet të jenë të thata, në të kundërt gjatë gatimit ato do të lëshojnë lëngje dhe rezultati nuk do të jetë i njëjtë.

Grijeni hudhrën dhe lëreni mënjanë.

Vendoseni tiganin në zjarr.

Pasi të jetë nxehur, hidhni vajin dhe shpërndajeni në të gjithë sipërfaqen e enës.

Pas 30 sekondash shtoni hudhrën dhe kavërdiseni deri sa të marrë një ngjyrë të artë për rreth një minutë.

Shtoni  bamjet dhe lërini të marrin aromën e hudhrës.

Vendosni një kapak mbi tigan dhe tundeni pak herë pas here që të mundësoni lëvizjen e bamjeve.

Bamjet marrin ngjyrë të kafenjtë pas rreth 8 minutash.

Më pas hiqini nga tigani dhe vendosini në pjatë.

Spërkatini me kripë dhe piper dhe servirini duke i shoqëruar me kos.

Sugjerime Të Tjera

Në vend të hudhrës mund të përdorni qepë të njoma për një aromë më të butë.

Gjatë gatimit mund të shtoni një lugë me xhenxhefil të grirë për një nuancë më pikante.

Bamjet kombinohen mirë me domatet qershizë ose gjethen e mentes.

Lëngu i limonit mund t’i japë bamjeve një shije më freskuese.

Vlerat Më Të Mira Të Bamjes

AgroWeb.org ju informon se bamja përmban vetëm 30 kalori për 100 gram dhe sugjerohet për të gjithë ata që duan të bien në peshë.

Nuk përmban yndyrna të ngopura apo kolesterol

Ndihmon për të stabilizuar nivelin e sheqerit në gjak, duke ngadalësuar përthithjen e saj nga stomaku, duke kontrolluar në këtë mënyrë dhe diabetin.

Bamja përmban shumë fibra dietike dhe vepron si një laksativ natyral, duke ndihmuar në tretje.

Bamja gjithashtu ndihmon florën bakteriale dhe ruan nivelet e pehashit në sistemin tretës.

Eshtë e pasur me vitaminë A dhe antioksidues të tjerë që ndihmojnë në përmirësimin e shikimit si dhe mbajnë lëkurën të freskët dhe të shëndetshme.

Bamja është e pasur me vitamin C, që ndihmon imunitetin e trupit.

Duke qenë se vitamin C shërben dhe si një anti-inflamator, bamja është një zgjedhje e mirë për të ulur simptomat e azmës dhe për të parandaluar të ftohtin.

Ajo përmban acid folik. 100 gram bamje përmbajnë rreth 22% të sasisë ditore që i duhet trupit të njeriut.

Mbi të gjitha bamja është tejet e këshillueshme në periudhën e para-fertilizimit dhe gjatë shtatëzanisë, pasi ndihmon në parandalimin e defekteve në lindje.

Bamja është e pasur me minerale, duke përfshirë këtu hekurin, kalciumin, magnezin dhe manganezin.

Bamja përmban vitamin K, që është shumë e nevojshme për shëndetin e kockave, si dhe luan një rol të rëndësishëm kundër mpiksjes së gjakut./AgroWeb