Banka Botërore: Shqipëria rritje përgjysmë në vitin 2022

0
190

Pandemia po e kushtëzon rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe pritet ta përgjysmojë atë nga viti 2022.

Banka Botërore njoftoi se rimëkëmbja në 2021-in kaloi parashikimet me një rritje të vlerësuar 7,2 %, por paqartësitë mbi situatën epidemiologjike rrezikojnë ta ulin veprimtarinë në 3,8 për qind në 2022-in dhe ta mbajnë po aq në 2023-in.

Në raportin e përditësuar për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, Banka Botërore thekson se rritjen e ndihmoi heqja e kufizimeve në lëvizje, investimet në sektorin e ndërtimit, import-eksportet dhe shpenzimet e larta private e publike.

Ndërhyrjet qeveritare kundër pandemisë, ndërkohë, vlerësohet se u kryen në dëm të borxhit që mund t’i afrohet nivelit 79 % këtë vit dhe rrezikohet më tej nga varësia prej jashtë, nga kursi i këmbimit dhe normat e interesit apo të rifinancimit të borxhit.

Forca punëtore në Shqipëri po ashtu mbetet e dëmtuar nga pandemia, me 35 mijë më pak punëtorë nga 2019-a.

Kompanitë private raportuan 52 % më pak të ardhura nga shitjet krahasuar me dhjetorin 2019, ulje me 15 % të punonjësve me kohë të plotë dhe 39 për qind e kompanive shqiptare presin që në gjashtë muajt e ardhshëm të akumulojnë borxhe prej krizës aktuale.

Sfidë e së ardhmes për Shqipërinë shihet mbledhja më e lartë e taksave dhe konsolidimi fiskal.

Nga vendet e rajonit, Banka Botërore pret që Kosova në 2021-in ta rritë aktivitetin ekonomik afërsisht sa Shqipëria, me 7,1 %, Mali i Zi me 10,8 %, Maqedonia e Veriut me 4,6 % dhe Serbia 6 % rritje të prodhimit kombëtar bruto.

Parashikimi aktual për ekonominë rajonale është më pozitiv nga sa pritej, me rritje prej 5.5 % në vitin 2021../Ora News/