Banka e Shqipërisë njoftoi se në mbledhjen e fundit të datës 1 korrik ka miratuar vendimin “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”.
Në bazë të këtij vendimi pezullohet, deri në fund të vitit 2020, shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, dhe të fitimit që do të realizohet për vitin 2020.
Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe, thuhet në njoftimin e bankës.
Në fillim të muajit prill, Banka e Shqipërisë vendosi të pezullonte deri në fund të muajit qershor 2020, shpërndarjen nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, të fitimit të realizuar në vitin 2019 si dhe të fitimit që do të realizohet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Sipas njoftimit të atëhershëm, kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të raportuar sipas standardeve lokale, për vitin 2019, fitimi i sistemit bankar ishte gati 20 miliardë lekë, me një rritje prej 8.1% me bazë vjetore.
Ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti, fitimi i sistemit ishte 1.4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 72% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke shënuar nivelin më të ulët të fitimeve që prej vitit 2013 për të njëjtën periudhë kohore.
Rënia e fitimeve në tremujorin e parë 2020 erdhi si rrjedhojë e shtimit të ndjeshëm të shpenzimeve për provigjionime (fondeve që bankat lënë mënjanë për të mbuluar kreditë me probleme).MONITOR