Banorët bllokojnë rrugën në shenjë proteste, firma ndërtoi tre hidrocentrale dhe e shkatërroi në vend që ta ndërtonte

0
2

Banorët e njësisë administrative Lënie, në bashkinë Gramsh, janë ngritur ditet e fundit në protestë për rikonstruksionin e rrugës, që thuajse është e pakalueshme.
Në zonën e Grabovës së Sipërme deri në fshatin Lënie janë ndërtuar tre hidrocentrale që shfrytëzojnë ujin e të gjithë zonës, por nuk kanë kryer asnjë investim për vetë banorët. që edhe pse kundershtuan në fillesa hidrocentralet tashmë vuajnë edhe shkatërrimin e rrugës nga mjetet e firmave. Një nga kriteret për marrjen e lejes së ndërtimit të hidrocentraleve ishte edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, që do t’u shërbente banorëve të zonës, investime ne mjedis madje eshte premtuar edhe ndricim dhe shtrim te rrugeve te lagjeve.

Prej dy ditësh, banorët kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste. Ata shprehen se drejtuesit lokalë duhet të kishin mbrojtur interesat e tyre, por nuk e kanë bërë duke u bere shpesh pale me firmen.

“Kjo që po ndodh është skandaloze. Bashkia e Gramshit është drejtuar për të paktën 20 vjet nga titullarë dhe politikanë me origjinë nga zona jonë, por nuk kanë bërë asgjë tjetër përveçse na kanë mashtruar në kohë fushatash zgjedhore. Si është e mundur që shteti ynë investon 100 miliardë lekë për ndërtimin e hidrocentraleve, ku përfitojnë vetëm pak individë, dhe nuk jep 3 miliardë për asfaltimin e rrugës, nga e cila do të përfitonte një komunitet i tërë?” – shprehet Ervin Osmani, një banor i zonës.

I kontaktuar nga media, kryeplaku i fshatit Lënie, Bardhyl Osmani, deklaroi se nuk ishte në dijeni të protestës. “Nuk e dija që do të bllokohej rruga. Duhet të isha njoftuar unë, administratori dhe bashkia, pasi rruga nuk mund të bllokohet në këtë mënyrë. Ka tre vjet që po ndërtohen hidrocentralet,” – tha ai në një bisedë telefonike.

I pyetur nëse do të mbështesë protestën në vijim, Osmani theksoi se ka kontaktuar me kompaninë “Hysa”, e cila ka premtuar ndërtimin e rrugës dhe ndriçimin, por nuk ka dhënë një afat konkret për fillimin e përfundimin e punimeve.

Ndërkohë, kryeplaku i fshatit Grabovë e Poshtme Viktor Xhelili mbështet protestën e banorëve dhe deklaron se ajo do të vazhdojë pasi ata kane tre vjet qe presin kete investim.
“Kanë shfrytëzuar të gjithë ujin duke mos lënë asgjë për banorët, kanë shkatërruar rrugën më keq se ç’ishte dhe nuk kanë mbajtur premtimin për ta rregulluar. Protesta do të vazhdojë!” – u shpreh ai.
Banorët kanë vijuar edhe ditën e dytë të protestës ku janë shoqëruar nga policia. Pasi kanë bllokuar për një orë rrugën, ata kanë marrë premtimin nga bashkia Gramsh që të ndalnin protestën pasi punimet për rrugën do të fillonin së shpejti. Banorët I kanë lënë 10 ditë kohë bashkisë të nisë investimin në rrugë, në të kundërt do të rinisin një proteste ku do të jenë të përfshirë tri fshatrat.

Punimet për ndërtimin e hidrocentraleve kanë nisur në vitin 2017 nga bashkimi i kompanive “Vëllezërit Hysa” dhe “Hydropower” sh.p.k. Banorët e fshatit Grabovë e Sipërme kanë protestuar vazhdimisht, pasi përveç problematikave me rrugën, janë përballur edhe me mungesën e ujit, për shkak të shfrytëzimit të tij nga hidrocentralet.

Elbasani on