Prej 30 vitesh banorët e fshatit Kështjellas në Njësinë Administrative Gjergjan nuk rreshtin së kërkuari ndërhyrjen e pushtetit vendor për të mundësuar për ta një rrugë me standarte normale për të qarkulluar normalisht me automjete .Por kjo kërkesë e përsëritur e tyre vit pas viti është shoqëruar vetëm me premtime që nuk janë mbajtur kurrë.
Edhe ky fillim viti për ta nisi me të njëjtën kërkesë. Banorët e fshatit Kështjellas thonë se ndjehen të poshtëruar nga të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor gjatë 34 viteteve të periudhës së Demokracisë dhe ende janë në pritje të realizimit të ndërtimit të rrugës së vetme që lidh fshatin e tyre me qytetin e Elbasanit .Rruga egzistuese sipas tyre është e shkatërruar dhe në gjëndje të pakalueshme edhe pse ata vetë si banorë të fshatit Kështjellas pretendojnë se janë taksapagues të rregullt.
Banorët e këtij fshati thonë se i janë drejtuar shpesh herë bashkisë së Elbasanit për të ndërhyrë të paktën për rehabilitimin e rrugës por deri më sot kërkesat e tyre nuk janë marrë seriozisht. Banorët thonë se ndjehen të zhgënjyer nga pushteti vendor dhe deputetët e Elbasanit të cilët duken në këtë fshat vetëm në fushatë elektorale.
Të tjerët thonë se fshati po braktiset nga të rinjtë pasi për shkak të mungesës infrastrukturës dhe nuk dëshirojnë të investojnë më aty.
Banorët e fshatit Kështjellas ndërmorën një tjetër hap për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata firmosën një peticion të cilin ia dorëzuan anëtarit të këshillit bashkiak të Elbasanit, Erion Murataj ,për ta ngritur çështjen e rrugës së shkatërruar si shqetësim në mbledhjet e këshillit bashkiak të bashkisë Elbasan .Ata shpresojnë se më në fund kërkesat e tyre do të plotësohen jo vetëm sepse durimit të tyre i ka ardhur fundi por mundësitë bashkia i ka të shumta për të ndërtuar rrugën në këtë fshat .Ndërkohë Agjensia e Shërbimeve Publike të Zonave Rurale e Bashkisë Elbasan lidhur me pretendimet e ngritura të banorëve të fshatit Kështjellas sqaron se nga ana e kësaj ndërmarrje edhe kjo rrugë e pa asfaltuar mirëmbahet më së miri si çdo rrugë tjetër ruale.ASHPR ,Elbasan ju është përgjigjur në kohë banorëve kur ka patur dëmtime të segmenteve të ndryshme të kësaj rruge dhe për mirëmbajtjen e saj është në dispozicion në ditë të zakonshme të paktën një punëtor dhe në raste të tjera punojnë grup punëtorësh dhe mjetesh në mënyrë që rruga të jetë lehtësisht e qarkullueshme nga automjetet.Ndërkohë bashkia e Elbasanit ka të gatshëm një projekt për zgjerimin dhe asfaltimin e saj në një të ardhme të afërt dhe pritet të sigurohet së shpejti edhe financimi i saj./BALKANWEB