Banorët e zonave të thella të Dropullit protestuan për mungesën e transportit publik nga fshatrat e tyre drejt zonave urbane. Ata apelojnë ndaj institucioneve që të licensojnë linja që marrin pasagjerët edhe nga kjo zonë pasi po detyrohen të ecin në këmbë ose të marrin taksi.
Banorët e rreth 14 fshatrave në zonat e thella malore në Dropull protestuan për shkak të mungesës së transportit që po u shkakton problem ekonomike.
Ata thonë se linjat e licensuara nga Bashkia nuk shkojnë deri në këto fshatra, duke i detyruar të marrin taksi ose të udhëtojnë në këmbë.
“Këto fshatrat këtu nuk kanë mjet tjetër transporti. Taksitë të rrjepin, ku kemi lekë ne?”
“Jemi 82-vjeç, të shkojmë me taksi në Gjirokastër?”
Për zgjidhjen e situatës kërkesa e tyre është që linjat ekzistuese të lejohen të marrin pasagjerët nga këto fshatra për t’i çuar në Dropull ose Gjirokastër.
“Kryetari i bashkisë dhe prefekti të zgjidhin këtë problem.”
Të prekur nga situata janë rreth 500 banorë ndërsa terreni malor e bën situatën e tyre edhe më të vështirë.
ora tv