Banorët e Rrjollit përplasen fizikisht me policinë, godasin me gurë fadromat

0
2
Ardit Murataj

Banorët e zonës së Baks–Rrjollit janë përplasur këtë të shtunë me forcat e policisë, teksa kanë tentuar të ndalojnë punimet për ndërtimin e një resorti turistik në pronat që ata pretendojnë se u përkasin ligjërisht.

Sipas banorëve, një kordon policor është vendosur në hyrje të zonës, duke mos i lejuar ata të futen në tokat e tyre, ndërkohë që mjetet e rënda të kompanisë së ndërtimit kanë vijuar punën.

Të revoltuar, disa prej tyre kanë qëlluar me gurë në drejtim të fadromave, duke u kërkuar punonjësve të zbresin nga mjetet dhe të ndërpresin menjëherë ndërhyrjet në terren.

Banorët deklarojnë se disponojnë dokumentacion të rregullt që provon pronësinë e ligjshme të tokës dhe se ndërtimi po kryhet në mënyrë të padrejtë.

Ata i bëjnë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë çështjen me prioritet dhe të shmangin, sipas tyre, zvarritjen e mëtejshme të procesit.

Nga ana tjetër, deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka një reagim zyrtar nga policia apo kompania ndërtuese lidhur me incidentin dhe pretendimet e ngritura nga banorët.