Prej gati një muaji banorët ne fshatin Godolesh në mënyrë vullnetare janë duke shtruar rrugën e fshatit të tyre.Për shkak të temperaturave dhe punëve të përditshme , punimet e rrugës i kryejnë në mbrëmje. Të rinj, e në moshë janë bërë bashkë, pas thirrjeve pa efekt adresuar prej 30-të vitesh pushtetit lokal dhe atij qendror. Secili ka kontribuar sa mundet ekonomikisht, ndërsa kanë kërkuar edhe ndihmën e bizneseve të zonës. Fondi është ezauruar thuajse plotësisht ndaj riapelojnë të ndihmohen ekonomikisht.
Pamje të tilla të punës vullnetare na kujtojnë periudhën e monizmit. Të irrituar në maksimum kërkojnë të dinë pse janë paragjykuar dhe harruar nga shteti edhe pse janë qytetarë të tij.
Për bashkinë Elbasan ajo që pengon ndërhyrjen është terreni I vështirë. Sipas gjeoologut të bashkisë ndërhyrja nuk mund të nisë pa një studim gjeologjik të mirëfilltë, madje as nga vetë banorët pasi mund ta përkeqësonte gjendjen e rrugës. Pavarësisht këtij fakti banorët nuk i kanë ndalur përpjekjet. Në zonë merren me kultivimin e qershisë e cila e ka të vështirë të arrijë në treg për shkak të mungesës së rrugës.