Barbari! Tri egërsira në zhdukje të Ballkanit, balsamosur në një restorant afër Elbasanit

0
323

Tre rrëqebuj të vrarë, të balsamosur, janë ekspozuar në një restorant në afërsi të Elbasanit. Barbaria ekstreme ndaj jetës së egër në Shqipëri arrin kulmin!” Ky denoncim i fortë është bërë sërish sot nga PPNES, shoqata e Ruatjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.

“Një restorant i vetëm në hyrje të qytetit të Elbasanit ka në brendësi të tij 30% të popullatës të të gjithë llojit në Shqipëri! Fatkeqësisht jo të gjallë, por të vrarë, të masakruar dhe të ekspozuar për argëtim klientësh dhe “zbukurim” ambienti.

Rasti më skandaloz i raportohet PPNEA-s nga qyteti i Elbasanit. Jo vetëm rrëqebuj, por edhe arinj, kaproj dhe lloje të tjera të mbrojtura ekspozohen në këtë restorant, i cili servir në mes të ditës edhe pjata me kafshë e shpendë të egra, përfshirë derra të egër, kaproj, mëllenja dhe shapka.

Rrëqebulli i Ballkanit është i listuar si i rrezikuar në mënyrë kritike (CR) në Listën e Kuqe të IUCN, dhe në Shqipëri mendohet se mbijetojnë jo më shumë se 10 individë, çka e bën një nga gjitarët më të rrezikuar për zhdukje në vend. Ndërkohë që popullata në të gjithë Ballkanin vlerësohet të jetë jo më shumë se 50 individë, kjo specie ende vazhdon të bjerë viktimë e brakonazhit nga individë që nuk tregojnë minimumin e konsideratës ndaj ligjit si dhe dhembshurinë minimale njerëzore ndaj një lloji që është në prag të zhdukjes.

PPNEA i bën thirrje të gjithë institucioneve vendimmarrëse, politikbërëse dhe ligjzbatuese, që të reagojnë me urgjencë ndaj rastit në fjalë dhe të parandalojnë në vazhdimësi raste të ngjashme, të cilat përbëjnë krime mjedisore, si dhe një rrezik serioz ndaj llojeve që janë drejt zhdukjes në vendin tonë.”

SYRI.net