Kryeministri Edi Rama, nga Elbasani, mohoi që të qëndruarit në pushtet është një qëllim në vetvete, por sipas tij mandati i tretë i duhet për të çuar përpara projektet që kanë mbetur në kantier.
Kryeministri siguroi ndër të tjera se, aeroportet e reja nga jugu në veri nuk janë një premtim elektoral.
“Nuk jemi në një fushatë elektorale ku jemi gati të premtojmë nënë e babë për të marrë vota. Mandati i tretë nuk është qëllim në vetëvete, është mjeti për të realizuar këto qëllime që nga plani për të pasur në Shqipëri katër aeroporte”, tha ndër të tjera Rama.
Por nuk ka munguar as reagimi i Gazment Bardhit, drejtues politik i PD në qarkun e Elbasanit.
Sipas numrit dy të selisë blu, Rama sërish refuzon të prekë realitetin e vërtitet me orë të tëra në sferën e tij imagjinare të sukseseve e mrekullive që i prek vetëm ai dhe miqtë që e shoqërojnë.
“Pas 8 viteve të rilindjes, Elbasani është qarku më i varfër në vend, dhe 75 mijë qytetarë janë larguar për shkak të papunësisë, mungesës së shanseve, dhe braktisjes që i ka bërë qeveria. Asnjë investim dhe asnjë mbështetje për qarkun Elbasan në 8 vite“, shprehet ndër të tjera Bardhi.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Askush nuk mund të tallet me Elbasanin!
Edhe pse viziton Elbasanin, Edi Rama sërish refuzon të prekë realitetin e vërtitet me orë të tëra në sferën e tij imagjinare të sukseseve e mrekullive që i prek vetëm ai dhe miqtë që e shoqërojnë.
Pas 8 viteve të rilindjes, Elbasani është qarku më i varfër në vend, dhe 75 mijë qytetarë janë larguar për shkak të papunësisë, mungesës së shanseve, dhe braktisjes që i ka bërë qeveria.
Asnjë investim dhe asnjë mbështetje për qarkun Elbasan në 8 vite. Nëse do të shohësh si është gjendja, futu në çdo lagje të qytetit, apo në çdo fshat të kësaj zone. Pamundësi, skamje dhe të moshuar që luten mos të kenë halle me shëndetin se nuk përballojnë dritat, jo më spitalet. Ato biznese që mbijetojnë, ja dalin falë punës së tyre, me administratën nëpër këmbë që u vë gjoba e u merr frymën.
Të vetmet që po lulëzojnë, janë kurset private të gjuhëve të huaja, sepse rinia kërkon të largohet.
Dhe sot që ti qendron me atë mikrofon në dorë pa ndalim, qindra të diplomuar po hyjnë e po dalin nga orët e gjermanishtes. Mashtrimin elektoral të 300 mijë vendeve të punës dhe shëndetësisë falas, të uljes së çmimit të dritave dhe ushqimeve, nuk mund ta zevendësosh me të tjera premtime dhe gënjeshtra të reja.
Banorët e Elbasanit duan ndryshim, Shqipëria do ndryshim, dhe kjo do të ndodhë me 25 prill. Është e pandalshme e pashmangshme. Ne kemi një plan, një vizion, dhe angazhimin për të kthyer shpresën dhe besimin e njerëzve tek politika dhe qeverisja e mirë.