Baret dhe restorantet “në hall” u largohen edhe të punësuarit nga Azia. Fasonët punësuan 450 gra nga Nepali dhe Filipinet

0
179

Nuk janë vetëm punonjësit nga Bangladeshi dhe India që përdorin Shqipërinë si vend trampolinë për të shkuar drejt Europës.

Në sektorët e shërbimit, veçanërisht në bare dhe restorante, problematika po shfaqet e mprehtë edhe me punonjësit aziatikë, kryesisht punësimet nga Filipinet.

Enri Jahja nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve tha për Monitor se edhe punonjësit nga vendet aziatike po largohen ashtu siç ndodhi me punësimet nga Bangladeshi dhe India.

Jahja shton se rendimenti i punonjësve të tjerë aziatikë është më i mirë krahasuar me indianët, pavarësisht se kanë kosto më të lartë page, por edhe këta punonjës po e përdorin Shqipërinë si trampolinë për ikje.

“Mungesa e theksuar e fuqisë punëtore ka detyruar shumë biznese të bareve dhe restoranteve të punësojnë punonjës nga Bangladeshi, India dhe vendet e tjera aziatike.

Nga bizneset e pyetura konstatohet se punonjësit nga India e shohin vendin tonë jo për të qëndruar si të punësuar, por për kapërcim drejt shteteve të tjera.

Largohen në mundësinë e parë që gjejnë. Gjithashtu rendimenti i punës së tyre nuk është i njëjtë me shqiptarët. Pra punësimi i tyre është humbje kohe për biznesin”.

Kosto për punonjësit aziatikë, ku kryesisht në bare dhe restorante janë punësuar nga Filipinet është 400 USD paga minimale, dukë përfshirë fjetjen dhe ushqimin për 10 orë punë në ditë. Për punonjësit e kualifikuar paga është më e lartë.

Edhe për këtë vit sektori i bareve dhe shërbimeve në nisje të sezonit turistik u gjend sërish me një mungesë prej 15,000 punonjësish.

Jahja rekomandon se duhet të gjendet një zgjidhje me politika stimuluese ndaj punonjësve vendas.

Së pari, ai rekomandon përfshirjen e komunitetit rom në shërbime jo vetëm në kryerjen e punëve të rëndomta. Gjithashtu lind nevoja sipas për forcimin e ligjit të përfitimit të ndihmës sociale, për mos dhënien e saj pa vlerë, po orientimin drejt tregut të punës.

“Së dyti, sipas tij në planin afatgjatë të masave është e domosdoshme ngritja e shkollave profesionale, në qytete sipas kërkesës së bizneseve. P.sh në Berat shkollë për guida etj., në Vlorë për shef kuzhine, shef salle, recepsion, menaxher hoteli, somelier etj

Se treti ndihmë për sa i përket biznesit sezonal në mbajtjen e stafeve dhe zgjatjen e sezonit”.

Fasonët për 6 muaj kanë punësuar 450 gra nga Nepali dhe Filipinet

Ndryshe nga çfarë po ndodh me baret dhe restorantet, për ndërmarrjet fason nisma për punësimet e të huajve po rezulton më e suksesshme. Kryetari i Proeksport Albania Edvin Prençe thotë se numri i të larguarve është shumë i vogël, pasi shumica e të punësuarave janë gra.

“Numri i të larguarve bie ndjeshëm ne momentin qe merr gra. Në këto 6 muaj që kemi pasur rreth 450 persona të punësuar nga Nepali dhe Filipinet. 98% e tyre janë gra. Maksimumi 5% e tyre janë larguar dhe shumica janë deportuar nga bizneset sepse nuk ishin në pritshmërinë e tyre, pa asnjë njohuri në sektor dhe jo të gjithë përshtaten”.

Për sa i përket rendimentit në punë sipas Prençes rezulton se është 155 më i lartë se punonjëset shqiptare, ndërsa paga minimale është në vlerën e 450 USD në muaj.

“Kjo është një shtysë për rritje të produktivitetit, pasi ndihet konkurrenca mes punonjësve. Pra një shtyse për mirë flasim gjithmonë dhe po integrohen mjaft mire me punonjëset tanë”./Monitor