Basha në Elbasan: Do t’ju kthejmë qytetin, askush nuk do t’ua vjedhë më votat

0
166

Elbasani ishte ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pasditen e sotme. Basha në takimin përmbyllës të fushatës, ka kërkuar nga qytetarët e Elbasanit të votojnë për ndryshimin të dielën.

Sipas Bashës, do të marrin fund tetë vite vuajtje dhe më 25 prill Elbasani dhe gjithë Shqipëria do t’i prijë fitores më të madhe në histori. Kryedemokrati u zotua se do t’i kthejnë qytetin elbasanasve  dhe se askush nuk do të vjedhë votat.

“Kthehem në zemrën e Shqipërisë që rreh për fitoren më të thellë të Elbasanit. Fitoren më të bukur të Elbasanit. Fitoren e familjeve dhe fëmijëve. Tetë vite me radhë kanë qenë më ju në ditët e një dimri pafund ku priteshin dritat e familjeve në lagjet e vjetra, ku shkurtohej ndihma ekonomike. Kur nuk kisha veç fjalës asgjë për të ndalur lotët e nënave. Tetë vite dimër marrin fund ditën e diel. Këtu jemi mbledhur si asnjëherë që të ushtojë në mbarë Shqipërinë thirrja që buron nga zemra e çdo elbasanasi, ndryshim dhe fitore.

Fitore e çdo banori të këtij qarku fisnik, nga Përrenjasi në Gramsh, nga Librazhdi në Cërrik, nga Dumreja në Peqin dhe këtu në zemrën e qarkut, zemrën e Shqipërisë. Bashkë erdhëm afër, bashkë ëndërruam të paimagjinueshmen dhe sot është realitet tuneli i Kërrabës. Tirana dhe Elbasani janë më afër se kurrë. Bëmë të vërtetë një nga dy investimet më të mëdha të dekadës, kaskadën e Devollit. Bashkë shkuam rrugën e zhvillimit në Dumrenë e bekuar nga Zoti dhe vepra të tjera i lamë gati për të përfunduar si rruga Qukës Qafë Plloçë. Por tetë vite me radhë dështime, i lanë këto projekte përgjysmë.

I mbushën shtëpitë  me të papunë dhe i zbrazën nga rinia. Tetë vite vuajtje, padrejtësi, tetë vite dhunë, por nga Elbasani e mësoi dhe sot e di dhe vetë ai që tetë vite e mbajti peng që të dielën Elbasani i prin fitores. I prin fitores më të thellë dhe më të bukur. Fitores dhe ndryshimit që kjo kala e qytetarisë, e arsimit, e dijes, e punës, e zejtarisë të rrezatojë edhe njëherë kulturën, traditën e çmuar të Elbasanit. Kështu do të ndodhë sepse më 25 prill elbasanasit do të votojnë për qetësi dhe par, për sigurinë, për punësimin dhe për ta kthyer Elbasanin dhe universitetin e tij në një qendër model arsimi për rininë. Kështu do të ndodhë.

Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme për Shqipërinë. Ekipi jonë u mrekullueshëm, shkrimtarë, mjekë, juristë, të drejtuar nga Gazment Bardhi.

Më 25 prill le të fillojmë punën me votën tuaj për t’i bërë realitet këto ëndrra, për të vazhduar projektet. Do t’jua kthejmë qytetin njerëzve. Askush nuk do tua vjedhë më votat. Askush nuk do tua vjedhë shpresën . Askush nuk do tua vjedhë ndryshimin,” tha Basha. g.v/abcnews