Nga Pallati i Kongreseve ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha shpreh se pas shpalljes non grata të Berishës ka pasur përplasje në kufijtë e luftës civile.
Ai theksoi se PD po përballet me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ulëtat të një grupi të vogël,
Basha: Pas shpalljes së tij non grata për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë. Jemi përballur me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ulëtat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh për ta detyruar PD të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës.
Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthehesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, e cila kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës. Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 prillit, në interes të një personi, dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike.
Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një non grata në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në non grata, për ta hir të fatit personal të një personi kushdo qoftë ai.