Cilësia e ajrit në zonën industriale të ish-metalurgjikut në Elbasan, vijon të jetë e rënduar edhe pse aktiviteti i ish-gjigandit të çelikut shqiptar është dukshëm më i reduktuar.
Pushteti lokal që ka në varësi edhe zyrat e mbrojtjes së mjedisit, pranon situatën e rënduar, por në të njëjtën kohë deklaron edhe pamundësinë për të reaguar, ose për të bërë minimumin, të masë ndotjen e shkaktuar.
Ismail Dybeli, inspektor i mjedisit në Bashkinë Elbasan, shprehet: “Elbasani njihet për ndotje mjedisore. Kompetencat tona janë të cunguara dhe nuk kemi logjistikën e duhur për matjen e parametrave të ndotjes së ajrit”.
Por, si kontrollohen bizneset që operojnë në zonën e ish-metalurgjikut për të parë se sa i respektojnë ato emetimet në ajër të gazrave dhe tymrave që çlirohen nga proceset industriale: “Ato vetëmonitorohen dhe kjo është ajo ku ne bazohemi. Mund të ketë raste abuzimi, por ne nuk kemi si e verifikojmë dhe nuk kemi si ndërhyjmë”.
E ndërsa institucionet lokale janë të pafuqishme dhe ato qëndrore administrojnë letrat, në terren situata është e rëndë. Ndërsa bizneset kanë në vëmendje fitimet, institucionet publike që kanë në vëmendje jetën e qytetarëve janë inekzistente përballë kësaj situate.
A2