Dimrat ikin e vijnë, por problemet e banorëve në fshatrat e Elbasanit mbeten po të njëjtat. Efekte pamjet e rruges Nuk është shtrati i ndonjë përroi që i ka shteruar uji, por është rruga që përdorin më shumë se 300 familje të fshatit Papër-Sollak të bashkisë së Elbasanit dhe njëkohësish rruga që lidh edhe 4 fshatra të tjerë me qytetin e Elbasanit. Jeta e banorëve gjatë dimrit është një sfidë e vërtetë.
Edhe pse nuk kanë ndonjë shpresë, banorët vijojnë të apelojnë për vëmendje nga bashkia e Elbasanit dhe pak investime nga institucionet, që të paktën t’u lehtësojë sadopak jetesën moshave të treta.
Thonë se për shkak se nuk ka rrugë në fshat nuk bëhen më as dasma pasi nuk kalojnë dot makinat.
Banorët e zonës nuk mbajnë mend se sa vite kanë që vuajnë me këto kushte, ndërsa habiten kur i pyet nëse është hedhur ndonjëherë asfalt në atë rrugë. Edhe aq sa është banorët shprehen se përpiqen ta mirëmbajnë vetë, por rruga në disa vende pëson herë pas here edhe rrëshqitje.
Sikur të mos mjaftojë rruga, këta banorë nuk e dinë se çfarë është ndriçimi publik dhe në këto kushte e mbyllin ditën me perëndimin e diellit.
Ankesat e tyre kanë marrë si përgjigje nga pushteti lokal premtimet, por deri këtu. Në kushtet kur rinia e këtyre zonave ka emigruar e gjitha dhe në fshatra kanë mbetur vetëm moshë e tretë, këta të fundit e kanë akoma më të vështirë të kalojnë këtu.