Infermierja e fshatit tregon peripecitë që heq me banorët në dimër madje edhe kur ka patur raste kur është futur në lumë deri në mes për t’i ofruar ndihmë mjekësore banorëve.
ELBASAN- Fshati Papër Sollak në Elbasan është pa rrugë e urë prej kohësh. Banorët që merren kryesisht me bujqësi ankohen në “Fiks Fare” se prej vitesh vuajnë mungesën e urëve dhe të rrugës.
Kjo e fundit është me zhavor e plot gropa. Ndërsa urave që janë dy nuk u shihet më as nami e nishani. Në dimër 350 banorët e këtij fshati izolohen, pasi lumi i Gosës del nga shtrati. Kjo sjell shumë probleme për banorët sepse fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë, ndërsa të sëmurët nuk mund të transportohen dot e as t’u jepet ndihma e parë.
Por banorët kërkojnë vetëm një urë që të mund të lidhen me pjesën tjetër e të mos izolohen. Infermierja e fshatit tregon peripecitë që heq me banorët në dimër madje edhe kur ka patur raste kur është futur në lumë deri në mes për t’i ofruar ndihmë mjekësore banorëve.
Vetë banorët për shkak të mungesës së rrugës pohojnë se edhe lindjet i bëjnë me planifikim në verë. Të pyetur se kujt i janë drejtuar për problemin e tyre banorët treguan se kanë venë në dijeni administratorin, deputetët e zonës , kryetarin e bashkisë, por deri më tani asgjë nuk është bërë.
Fiksi u interesua në Njësisë Administrative Papër, ku administratori z. Gjeli tha se banorët kanë të drejtë, por që është investuar shumë gjatë gjithë sipërfaqes së lumit me diga dhe prita si dhe ura të reja, por që në Papër Sollak ende nuk janë ndërtuar. Përsa i përket rrugës administratori tha se deri në fund të vitit do të rehabilitohet me zhavor rikualifikim, pasi asfaltimi është kosto e madhe. “Problemi i urave që kërkojnë banorët është i drejtë. Ne kemi ndërhyrë disa herë, por lumi sjell mjaft rrënjë pemësh dhe zhavorr dhe e bllokohet, sidomos kur nisin shirat është shumë i rrëmbyeshëm ” tregon administratori.
Fiksi iu drejtua edhe Bashkisë Elbasan ku Vegim Dishani drejtor i shërbimeve tha se shqetësimi i banorëve është shumë i drejtë. Dy urat një me gjatësi 5 metra e një 7 metra që i duhen fshatit është bërë studimi dhe projekti dhe brenda një 6 mujori të vitit të ardhshëm do të ndërtohen.
Marrë nga Top Channel