𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐞𝐭 𝐞 𝟏𝟏 𝐌𝐚𝐣𝐢𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟓 – 𝐊𝐒𝐇𝐙 𝐜𝐚𝐤𝐭𝐨𝐧 𝐩𝐚𝐫𝐭𝐢𝐭𝐞̈ 𝐪𝐞̈ 𝐩𝐫𝐨𝐩𝐨𝐳𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐀𝐧𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭 𝐞 𝐊𝐙𝐀𝐙
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme publike vlerësoi raportimet e veprimtarive me karakter publik për periudhën 19 janar – 25 janar 2025.
KSHZ vendosi fillimin e procedimit administrativ ndaj:
1. Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
2. Bashkisë Roskovec
3. Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
4. Zyrës Vendore Arsimore Elbasan
5. Bashkisë Sarandë
6. Ministrisë së Financave
7. Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje
8. Korporatës së Investimeve Shqiptare
9. Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve
10. Bankës së Shqipërisë
11. Bashkisë Elbasan
12. Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor
13. Bashkisë Mat
14. Bashkisë Cërrik
U shpall vendimi për shqyrtimin administrativ të veprimtarive publike të Bashkisë Cërrik, për periudhën 17 janar – 18 janar 2025 dhe për shqyrtimin administrativ bazuar në denoncimin me nr. 1, datë 13.01.2025, të regjistrit të denoncimeve, të Organizatës Qendra “Qendresa Qytetare”.
Komisioneri vendosi pushimin e hetimit administrativ ndaj Kryetarit të Bashkisë Kamëz dhe ndaj Bashkisë Cërrik.
U miratuan modelet e një pjese të dokumentacionit zgjedhor që i dërgohet zgjedhësit nga jashtë për procesin zgjedhor të votimit nga jashtë vendit, konkretisht:
1. “Zarfi ku futet fleta e votimit”;
Zarfi ku futet fleta e votimit është zarfi i brendshëm. Zarfi i fletës së votimit, i cili përmban vetëm fletën e votimit, vendoset në zarfin e jashtëm të dërguar tek zgjedhësi nga KQZ. Mbi këtë zarf KQZ do të vendosë/ngjisë Kodin Unik të regjistrimit të çdo zgjedhësi në PER. Kodi Unik i zgjedhësit gjenerohet automatikisht nga PER dhe përmban emër, mbiemër të zgjedhësit, shtetin ku ka kërkuar t’i dërgohet fleta e votimit, si dhe qarkun ku ka regjistrin e gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë. Kodi Unik i zgjedhësit është gjithashtu i pasqyruar në formën e një Barcode, ose QR Code. Pasi gjenerohet nga PER, Kodi Unik bëhet i disponueshëm për çdo zgjedhës nga jashtë vendit. Në momentin që zgjedhësit i mbërrrin në adresën e deklaruar jashtë vendit zarfi i dërguar nga KQZ, zgjedhësi do të konfirmojë në PER marrjen në dorëzim të zarfit.
2. “Zarfi i jashtëm ku vendoset zarfi që përmban fletën e votimit”.
Zarfi i jashtëm mbi të cilin është vendosur Kodi Unik i zgjedhësit i cili ka brenda zarfin që mban fletën e votimit, futet në zarfin e operatorit të shërbimit postar dhe postohet për në adresën e KQZ.
Gjithashtu, Komisioneri miratoi përdorimin përdorimin e vulave me kode sigurie, etiketat e sigurisë dhe kutive të votimit, për administrimin e procesit zgjedhor për votimin nga jashtë, si dhe përcaktoi karakteristikat e përgjithshme të tyre. Vulat me Kod Sigurie si karakteristika të përgjithshme kanë rezistencën, janë të testuara për një forcë thyerje, tërheqje, përkulje dhe të jenë sipas standardeve të zbatueshme. Kutitë e votimit nga jashtë si karakteristikë të përgjithshme duhet të jenë të palosshme, të hapura vetëm nga një anë, në të cilën vendoset kapaku përkatës dhe nëpërmjet të cilit mundësohet hedhja e dokumentacionit zgjedhor, duhet të jenë të tejdukshme nga të paktën katër anët e saj, të kenë aftësi për të mbajtur ngarkesa të brendshme pa u deformuar. Etiketat e sigurisë si karakteristikë të përgjithshme duhet të kenë të gjithë elementët e sigurisë për të mbrojtur sendet/asetet/ ambientet nga çdo ndërhyrje e personave të tjerë, të jenë të montueshme me një proces të vetëm pa nevojën e mjeteve ndihmëse, si dhe të kenë veti gjurmëlënëse të dallueshme, që lë vetë etiketa në trupin e saj ose në sipërfaqen e rrafshët ku do të vendosen. Etiketat e sigurisë janë projektuar për një përdorim dhe nuk hapen aksidentalisht.
Në seancën e sotme u caktuan njësitë administrative ku do të krijohen selitë e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025″.
Komisioneri caktoi partitë politike që do të propozojnë anëtarët dhe sekretarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor.
Partitë politike që do të propozojnë anëtarët e KZAZ-ve janë si më poshtë:
a. Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSh), si partia kryesore e shumicës parlamentare, propozon 2 (dy) anëtarë;
b. Partia Socialdemokrate (PSD), si partia e dytë kryesore e shumicës parlamentare, propozon 1 (një) anëtar;
c. Partia Demokratike (PDSH), si partia kryesore e opozitës parlamentare, propozon 2 (dy) anëtarë;
d. Partia e Lirisë (PL), si partia e dytë kryesore e opozitës parlamentare, propozon 1 (një) anëtar.
Bazuar në rezultatin e shortit të hedhur në seancë, për përcaktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë në përbërjen e KZAZ-ve:
a. PS do të propozojë anëtarin e shtatë për KZAZ-të e renditura me numër çift;
b. PD do të propozojë anëtarin e shtatë për KZAZ-të e renditura me numër tek;
Ndërkohë, sekretari i KZAZ-së do të propozohet nga Partia Socialiste e Shqipërisë për ato KZAZ ku kjo parti propozon zëvendëskryetarin dhe nga Partia Demokratike për ato KZAZ ku kjo parti propozon zëvendëskryetarin.
U plotësuan vakancat e krijuara në këshillin e Bashkisë Sarandë, me kandidatin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z.Thanas Gurma dhe në këshillin e Bashkisë Tiranë, me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, zj. Keda Kaceli.