Batuta e Olsi Ramës pas fitores: Mos më futni në konflikt me Vllazninë, e rëndësishme ndeshja me Teutën

0
221

Mjaftoi goli i Erald Çinarit në minutën e 83-të të sfidës, për t’i dhënë Partizanit fitoren në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës.

Fitorja është pritur me mjaft entuziazëm nga drejtori i përgjithshëm i klubit Olsi Rama, i cili në një intervistë për mediat nuk nguroi të përgëzonte ekipin për lojën e prodhuar dhe fitoren e arritur.

Gazetarët:  A e shikoni si një anti-Vllazni ekipin e Partizanit?

Olsi Rama: Mos më fusni në konflikt me Vllazninë ju lutem. Vllaznia po i jep një ritëm kampionatit, ne kemi javën që vjen ndeshjen më të rëndësishme, me Teutën. Marshimi jonë shikon vetëm progresin tonë.

Gazetarët: I kënaqur për fitoren?

Olsi Rama: I kënaqur padyshim, sepse fitorja të kënaq gjithmonë. Por kur vjen nga një gol dhe lojë bindëse, kur djemtë japin maksimumin sigurisht që kënaqem më tjetër.

Gazetarët: Si ju duket derbi jashtë Tiranës?

Olsi Rama: Derbi jashtë Tiranës është nga halli. Por ne e kemi kthyer Elbasan Arenën në shtëpinë tonë, sepse ka një fushë shumë të mirë. Nuk mund ta realizonin ndeshjen në Air Albania, gjithashtu dhe fusha e Sterman Stermasit nuk është në gjendje të mirë, preferuam ta bënim këtu.

Sakaq, në qytetin e Elbasanit, aty ku u luajt dhe kjo derbi, u shënua një konflikt fizik mes dy tifozërive, ku si pasojë tre persona mbetën të lënduar, si dhe u regjistruan dëme materiale në një lokal në qendër të qytetit e një tjetër në afërsi të stadiumit Elbasan Arena. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këto zhvillime, Rama tha se nuk ishte në dijeni pasi ishte i përqendruar tek sfida, duke shtuar se policia mund të ketë marrë masat e nevojshme.

Gazetarët: Keni informacion që jashtë stadiumit ka pasur konflikte nga tifozët.

Olsi Rama: Jo nuk kam pasur asnjë informacion sepse kam qenë i përqendruar tek ndeshja. E di që tifozët tanë shumë të mirë na ndjekim kudo që shkojë dhe na japin atë ngrohtësinë që i duhet lojtarëve. Nuk i pash tek pallatet sipër siç kanë qenë gjithmonë. Nuk e di, mbase policia ka marrë masat.

Gazetarët: E mendove logjike rikthimin pjesërisht të tifozëve në stadiume?

Olsi Rama: Kjo është një pyetje që nuk më takon mua sepse ka të bëjë me organet kompetente, të cilët duhet të vlerësojnë se në cilën fazë është pandemia. Unë nuk do të doja që një ndeshje e Partizanit të kthehej në problem për ata që e ndjekin Partizanin. Kështu që derisa të vij një sqarim i mëtejshëm sa i përket pandemisë, nuk dua të bëhem pjesë e këtij diskutimi.