Është luajtur në “Pushkash Arena” në Budapest edicioni i 45-të i Superkupës së Europës që nxorri fitues gjermanët e Bayern Munchen, raporton Ora News.
Fituesit e Champions League mposhtën spanjollët e Sevillas me rezultatin 2-1 pas 120 minutash lojë.
Ishin spanjollët ata që gjetën rrugën e rrjetës të parët, kur në minutën e 15 Ocampos do të shndërronte në gol një 11-metërsh.
Pas golit të Sevillas, Bayern Munchen rriti presionin duke gjetur golin e barazimit me Goretzka në minutën e 34.
Me rezultatin 1-1 u mbyll pjesa e parë.
Me fillimin e pjesës së dytë kampionët e Europës rritën presionin në portën e spanjollëve. Në minutën e 51 Lewandowski gjeti rrugën e rrjetës por sipas VAR polaku ishte në pozicion jashtë loje, raporton Ora News.
Rezultati qëndroi i pandryshuar deri në përfundim të kohës së rregullt, ndërsa shtesa do të fliste për gjermanët që gjetën golin e avantazhit në minutën e 105 me anë të spanjollit Javi Martinez.
Edhe shtesa e dytë foli për gjermanët, të cilët kontrolluan mjaft mirë rezultatin.
Sa i përket Superkupës së Europës, ky është trofeu i pestë për Bayern Munchen, duke barazuar kështu Sevillan.
Pas titullit kampion në Bundesligë, Kupës së Gjermanisë, Champions League dhe Superkupës së Europës Bayern Munchen tani duhet të presë dhjetorin për të fituar edhe Botërorin e Klubeve. /A.R, OraNews