Nuk mund të ndodhë ndryshe kur lë shumicën e yjeve në stol. Bajerni e humbi ndeshjen e tretë në grup, në Botërorin amerikan të klubeve, ndërsa trajneri Vinsent Kompani u tremb më shumë nga vapa dhe lodhja sesa nga rivali I mundshëm në raundin e dytë.
Me kualifikimin në xhep, bavarezët e nisën ndeshjen ndaj Benfikës pas lojtarë titullarë si Kimih, Musiala, Kejn, Olise apo Tah, por edhe pa të tjerë si Laimer, Gorecka apo Koman.
Portugezët, që synonin të paktën barazimin për të kaluar grupin, përfituan dhe fituan minimalisht 1-0. Andreas Shjelderup ishte autor I golit të vetëm të ndeshjes në Sharlotë, që në minutën e 13-të.
Pas pushimit, Kompani bëri 5 zëvendësime duke forcuar ekipin, por portieri I “shqiponjave” të Lisbonës, Trubin, pati një nga paraqitjet më të mira në karrierë. Bajerni, i penguar nga një kundërshtar I organizuar, nuk e konkretizoi dot epërsinë e thellë në zotërim topi me 73 për qind, ndërsa kritikat ishin të mëdha për yllin në rënie, Leroi Sane.
E përditshmja tabloide, “Bild” komenton se Bajerni humbi 2 milionë dollarë, se do të ndeshet me Flamengon që e mundi Çelsin në grup 3-1, dhe se në çerekfinalen e mundshme do të kishte përballë Paris SG ose Inter të Majemit të Mesit.
Tashmë, kampionët e Gjermanisë do të pushojnë disa ditë përpara sesa të luajnë sfidën me eliminim direkt në raundin e dytë, të dielën ndaj rivalit brazilian, Flamengo./abcnews.al