Dronët turq “Bayraktar TB2” të bërë të njohur nga lufta në Ukrainë pas rezultatin të suksesshëm të goditjes ndaj forcave ruse, kanë shtuar interesin e vendeve të tjera në Evropë.
Sipas mediave turke “SavunmaSanayist”, një nga vendet që kërkon t’i blejë është dhe Serbia, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka treguar se këtë kërkesë ia ka miratuar në parim miku i tij i mirë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
“Dy ditë më parë, gjatë takimit me presidentin e Turqisë, Erdogan, kam shprehur interesimin për të blerë Bayraktarët nga Turqia dhe Erdogan më ka premtuar se ne do t’i marrim ato. Do t’i kemi edhe këto armë në inventarin e Ushtrisë Serbe”, ka thënë Vuçiç.
Sipas mediave turke, dronët “Bayraktar” i janë shitur të paktën 22 shteteve në botë. Por mediat serbe shkruajnë se Erdogan ia ka mundësuar Vuçiçit që Serbia t’i blejë pa pritur radhën.
Ndërkohë, për këto dronë ka ngritur shqetësim dhe Rusia, e cila disa ditë më parë i kërkoi “llogari” Turqisë se përse po ja shisnin Ukrainës. Turqia u justifikua duke thënë se kompania që i prodhonte ishte private dhe nuk ndikohej nga shteti.