Për herë të tretë brenda muajit, familjet e fshatit Moravë protestuan dje kundër çmimit të shpronësimit të tokave që preken nga projekti për bazën e NATO-s në Kuçovë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zgjodhi tu kthejë përgjigje nga Elbasani duke i garantuar se të gjithë banorët, pronat e të cilëve preken nga projekti, do të shpronësohen me vlerën e tregut.
Peleshi: Do të thotë ekonomi për zonën, janë dhjetëra miliona euro që do të investohen aty. Ne nuk e kemi mundësinë dhe të drejtën të veprojmë jo sipas ligjit. Investimi i bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë është një investim historik, një prezencë e NATO-s do të thotë siguri për vendin dhe Ballkanin. Do shpërblehen sipas ligjit, të gjitha pronat e prekura nga projekti do të shpronësohen me vlerën e tregut. Edhe shpërblim për ata që preken nga prona.
Ministria e Mbrojtjes ka një projekt për dixhitalizimin e sistemit. I pyetur se sa i sigurtë mund të jetë ky proces ndërsa çdo ditë në Shqipëri po dalin në dritë të dhëna konfidenciale, ai u përgjigj.
Peleshi: Mbrojtja kibernetike është sfidë për të gjitha vendet. Në NATO konsiderohet një nga pesë domenet e mbrojtjes. Ne jemi përgjegjës ta zhvillojmë sigurinë kibernetike. Kemi një projekt me amerikanët mbi 20 milion euro për të ngritur njësinë ushtarake të mbrojtjes kibernetike që do të jetë garaci e madhe. Ne i kemi potencialet dhe kapacitetet për të siguruar mbrojtjen e sistemeve tona ushtarake. Kjo sfidë hyn te çdo familje, te çdo qytetar, dhe deri te institucionet private dhe shtetërore meqë janë online, janë më të ekspozuar nga këto rreziqe.
Ne do të ofrojmë të gjitha kapacitetet tona në rritjen e sigurisë kibernetike. Para se të ndodhnin ngjarjet e fundit ende nuk dihet nëse janë hakerime ose të rrjedhjes së informacionit nga nëpunës apo punonjës të papërgjegjshëm. Çështja është në hetim ndaj duhet të investojmë më shumë, jo vetëm ne por të gjitha vendet për të rritur sigurinë kibernetike. Sado i zhvilluar të jetë nuk mund ti shpëtojë kërcënimit botëror. Ka hakera brenda dhe jashtë vendit, pra botërorë.