BE: Duhet të përgatitemi për valën e re të pandemisë

0
105

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet të nisin përgatitjet për valën e re të pandemisë,  që mund të ndodhë në vjeshtë dhe dimër, sipas një zyrtare të bllokut, shkruan Reuters.

Komisionerja për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore e BE-së, Stella Kyriakides, po ashtu paralajmëroi se nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi pandemia nuk ka përfunduar.

“Fatkeqësisht pandemia ka treguar rritje shqetësuese në disa shtete. Në dy muajt e fundit, ne jemi duke u përgatitur për vjeshtën dhe dimrin, të vetëdijshëm plotësisht se vala e re e pandemisë nuk mund dhe nuk duhet të rëndojë edhe më shumë ekonomitë dhe shoqëritë tona, veçanërisht në kohën kur ato janë prekur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe inflacioni,” tha ajo.

Kyriakides, tha  se Komisioni Europian u ka kërkuar shteteve anëtare që të përshpejtojnë vaksinimin me doza përforcuese të popullsisë mbi 60 vjeç dhe të grupeve më të rrezikuara.

“Këta muaj duhet të jenë muaj përgatitje, në mënyrë që sistemet tona shëndetësore të jenë gati për valën e re të mundshme, e cila mundet, të kombinohet me gripin”, tha ajo.

/abcnews.al