Serbët do të kenë edhe një kushtëzim tjetër në rrugëtimin e tyre drejt BE-së veç njohjes së Kosovës. Institucionet evropiane ja kanë bërë të qartë se nuk ka anëtarësim në BE pa afruar politikat që Serbia ndaj Rusisë me atë që ka blloku evropian. Serbia është i vetmi vend evropian që s’ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.
Serbia ka qenë një vend që ka avancuar në çeljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht kritikave të forta sa i përket tensioneve ballkanike dhe sjelles me fqinjët.
Lufta në Ukrainë ka sjellë edhe ndryshimin e agjendës evropiane për Ballkanin. Institucionet e BE-së nuk duan që të kenë një vend satelit të Rusisë në Ballkan, ndaj kanë vendosur që ta kushtëzojnë rrugëtimin evropian të Serbisë jo vetëm me rregullimin e marrëdhënieve me Prishtinën, por edhe me afrimin e politikave të saj me ato të Evropës për Rusinë.
Retorika e përdorur nga Vuçiçi për një Evropë mike dhe Rusi motër nuk është pritur mirë në Bruksel. Komisioni Evropian ka thënë se pozicioni i Serbisë ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës mund të ndikojë në procesin e integrimit evropian të vendit
Këtë e ka bërë me dije kreu i njësisë së Komisionit Evropian për Malin e Zi dhe Serbinë, Michael Miller. Ai vuri në dukje se çështja e vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë do të merret parasysh.
Edhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian ka bërë apel që Beogradi zyrtar të harmonizojë vendimet e BE-së për Rusinë.
“Shtetet sovrane marrin vendime sovrane, por vendimet sovrane kanë gjithashtu pasoja për partneritetet ndërkombëtare, aleancat dhe integrimin evropian”, tha Bilçik.
Më herët do të ishte vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç që do të thoshte se Serbisë po i krijohen probleme të mëdha për faktin se është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese kundër Rusisë.
Rusia ka ndërmarrë një sulm pushtues në Ukrainë në shkrut dhe vendet e BE-së dhe të NATO-s janë angazhuar në krah të sovranitetit të Ukrainës, teksa serbia ka votuar kundër Rusisë tre herë në Kombet e Bashkuara por nuk mbështet asnjë sanksion.