BE ndryshon rregullat për fluturimet. Ujin dhe parfumet pa limit sasie mund t`i mbash në çantat e dorës

0
3

Përveç heqjes së këpucëve, një nga bezditë më të mëdha gjatë fluturimeve, janë kufizimet në lëngjet e dorës. Sa herë e ke lënë në shtëpi parfumin e preferuar? Gjërat do ndryshojnë.

Bashkimi Europian pritet të japë dritën jeshile për heqjen e kufizimeve mbi lëngjet në bagazhin e dorës. Lajmi vjen pasi pajisjet më të fundit të kontrollit, të cilat ishin pezulluar për arsye sigurie vitin e kaluar, pritet të riaktivizohen në kapacitet të plotë në ditët në vijim.

Në disa nga aeroportet kryesore italiane, si në Milano Malpensa dhe Linate, Roma Fiumicino, Bergamo, Catania, Bologna dhe Torino, pasagjerët do të mund të marrin sërish me vete në bagazhin e dorës parfume apo shishe të mëdha me ujë, verë dhe vaj, pa qenë nevoja t’i nxjerrin gjatë kontrollit të sigurisë.

Vendimi për të lejuar këtë ndryshim historik pritet të zyrtarizohet më 25 korrik nga Konferenca Evropiane e Aviacionit Civil (ECAC), që do të miratojë versionin e përditësuar të algoritmit të skanerëve Hi-Scan 6040 CTiX.

Këto pajisje moderne, që lejojnë kontroll të avancuar dhe të sigurt pa kufizime të rrepta, janë instaluar vetëm në një pjesë të aeroporteve. Kjo do të thotë se për momentin, ky lehtësim do të vlejë vetëm për udhëtarët që nisen nga këto pika, të cilat përpunojnë rreth 70 milionë pasagjerë në vit.

Për aeroportet e tjera, për të cilat mungojnë ende këto teknologji, rregullat ekzistuese për kufizimet e lëngjeve do të vazhdojnë të zbatohen.

Çfarë ndryshon konkretisht për udhëtarët nga aeroportet mbi të cilat ka informacion aktualisht se këto pajisje i disponojnë?

– Mund të mbani në bagazh dore shishe me lëngje mbi 100 ml

– Nuk është më e nevojshme t’i nxirrni ato për kontroll

– Kontrolli i sigurisë bëhet më i shpejtë dhe më pak stresues