Kryedemokrati, Sali Berisha Ditën e Verës e festoi mes qytetarëve të Elbasanit.
Nga qyteti i Elbasanit kreu i opozitës i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Lirie Berisha, ai përcolli mesazhin e tij për qytetarët, ku shprehu se shpreson që festën tjetër shpreson që shqiptarët ta kenë lënë pas të keqen.
Ai nuk i kurseu sulmet ndaj kundërshtarëve të tij politikë teksa shprehu se dyshja, Rama-Balluku nuk kanë të ardhme.
Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi. Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me Ballukun të ardhme nuk kanë më. Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë. Nuk e meritojnë!
Ndaj dhe le të urojmë që ditën e ardhshme të verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës. Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku. Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane”, u shpreh Berisha.


