
Nga Doris Madhi
Kisha vendosur mos të prononcohesha për asnjë konstatim, skemë apo pakënaqësi në lidhje me formacionin politik që përfaqësoj!
Ngjarja e djeshme, ku një fëmijë që e kam parë në kohë të caktuara të rritet para syve tanë në tubime e takime të PD-së më ka indinjuar pa masë! Ajo që si prind më prek është dhuna e padrejtë nga një krah dhe nga ana tjetër përfshirja e një djali akoma të parritur në mllefet politike të prindit!
Edhe mafia ka një kod: fëmijët e gratë nuk preken!
Edhe pse babai e xhaxhai im janë përfshirë në politikë qysh prej 1994, asnjëherë ne femijët s’na bënë pjesë të saj apo opinioneve ndaj kundërshtarëve, derisa zgjodhëm vetë në moshë madhore.
Dhemb më tepër, kur njerëz të mbështetur fort nga z.Boçi marrin përsipër të përgënjeshtrojnë diversionin dhe dhunën politike duke e minimizuar si zënkë banale!
Rasti tipik kur rrit kakzogëzën dhe bëhet gjarpër e të ha!
Ndiej t’ju them sot, me zemër prindi që kushdo që prek fëmijët për llogari të prindërve është monstër! Ashtu si ato që prekin padrejtësisht prindër kur e dinë që kjo ndikon tek vuajtja e fëmijëve të tyre!
Uroj të hapni sytë të shikoni qartë qarkun e mbyllur nga i cili tashmë ka filluar të rrjedhë gjak e qelb!
Për mua PD janë qytetarët e thjeshtë, jo ato që e drejtojnë e aq më pak ato që e tregtojnë sipas ambicieve personale!
Pritej që Kodi Zgjedhor i votuar unanimisht do prodhonte luftë brenda llojit në listat e hapura, luftë që tek ne u preçedua me primaret! E pra, në vend të hanë të gjallë kundërshtarin, po hanë njëri-tjetrin!
Në 11 Maj, besojini të rinjve, atyre që betejat i kanë bërë vetë, me kokë në torbë shpesh, me luftën e dinozaurve në kurriz, por gjithmonë me kokën lart në shërbim të qytetarëve e me dashuri për vendin!
Besojini atyre që nuk varin xhaketën në çengelat e botës, por ndërtojnë me sakrificë shtëpitë e veta!
Besojini atyre që flasin pak, por nuk i zenë këmbët dhé për të qenë prezent afër çdo qytetari a fshatari për t’i dhënë zë!
Besojini atyre që kanë një jetë të ndërtuar ndershmërisht, jo të papasurve e të pangopurve që s’njohin rrugë veç partisë apo politikës!
