Shqipëria është ndër shtetet me varësinë më të lartë për sa i përket importit të grurit. Në vend arrihet të prodhohet më pak se 45 për qind e nevojave, ndërsa pjesa tjetër vjen kryesisht nga Rusia dhe Serbia.
Sikur të mos mjaftonte varësia e theksuar nga importi, sipërfaqja e arave të mbjella dhe sasia e grurit të prodhuar në vend kanë pësuar rënie nga vitit në vit.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në vitin 2016 u mboll një sipërfaqe prej 70,511 hektarë e cila u reduktua në më pak se 54 mijë vitin e shkuar.
“Si mund të pranojë Shqipëria të importojë 120 mln dollarë drithëra, kur në Shqipëri ka mbi 80 ha tokë bujqësore pjellore të lëna djerrë çdo vit dhe ky është handikap i madh”, thotë eksperti për bujqësinë, Ndoc Faslia.
Sasia e grurit të prodhuar u rrudh gjithashtu. Nga gati 275 mijë tonë të prodhuara në vitin 2016, në vitin 2020 kjo sasi ra në 233 mijë ton.
“Në 2020 rezulton që në Shqipëri janë importuar 364 mijë tonë dridhëra me vlerë 111 mln dollarë dhe 45 mijë ton miell gruri me vlerë 18 mln dollarë”, thekson Faslia.
Por sa mund të amortizohet varësia nga importi dhe si mund të inkurajohen bujqit shqiptarë?
“Me politika të menduara mirë, nxitëse dhe mbështetëse të prodhimit vendas, kjo diferencë e madhe mund të zbutet. E para ndërhyrjet konsistojnë në ultësirën perëndimore të vendit që është zona më pjellore e vendit, zona me interes për të kultivuar. Ndërhyrja për mbrojtjen nga përmbytja dhe për kullimin e tokave bujqësore”, shprehet Faslia.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lushnja, Maliqi, Divjaka, Korça dhe Elbasani janë qytetit me kontributin më të madh në prodhimin e grurit.
a2