Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Kunes në Shëngjin, ku një person ka humbur jetën, pasi ra nga skela e pallatit ku punonte.
Punëtori ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.
Burime bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Arjan Lazri, 48-vjeç nga me banim në zonën e Kallmetit.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po heton në lidhje me kushtet e sigurisë në punë, në vendin ku ka humbur jetën Lazri.
Dhjetëra aksidente me pasojë vdekjen në punë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit kanë ndodhur në vitete fundit në vendin tonë, ndërkohë që rastet e ndëshkimeve të personave përgjegjës janë të pakta.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 08:00, në Shëngjin, në Kune, shtetasi A. L. 45 vjeç, banues në Kallmet, duke punuar në një objekt në ndërtim e sipër, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga lartësia dhe si pasojë e dëmtimeve fizike të marra, ka ndërruar jetë.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme proceduriale administratorin e firmës që po kryen punimet në këtë objekt, shtetasin A. K.
Gjithashtu, grupi hetimor vazhdon veprimet verifikuese hetimore në lidhje me zbatimin e rregullave teknike në punë dhe të dokumentacioneve, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanava të ngjarjes.